Ndërprerja e qarkullimit hekurudhor për udhëtim dhe transportues në vend vazhdon edhe gjatë fundjavës, pasi që pardje personeli makinist e bojkoton punën me mospërmbushjen e detyrave të punës duke kërkuar rritjen e kompensimit për cilësi të punës prej 30 në 40 për qind.

Nga personeli makinist thonë se deri tani kanë nisur dy trena dhe se po ballafaqohen me presione të vazhdojnë me punë. Gjatë ditës së djeshme nga kryesia është kërkuar që secili makinist apo ndihmës makinist të nënshkruajë deklaratë nëse do t’i kryejë obligimet e punës. Siç thonë, qëndrojnë në kërkesën e parashtruar dhe janë të hapur për negociata, por pas takimit që e kishin në prag të grevës me kryesinë e kompanisë dhe ministrin dikasterial Goran Sugareski, nuk kanë marrë ftesë të re.

Kryesia e kompanisë, e cila e cilëson ndërprerje si të kundërligjshme, tha që kompania nuk ka mundësi financiare për t’i përmbushur kërkesat. Potencojnë që pagat jepen rregullisht dhe se mesatarisht arrin 47,665 denarë, si edhe kompensimet tjera, ndërkaq kompensimi për cilësi u shfuqizua gjatë masave antikrizë në vitin 2008, përsëri u paguhet sërish në vlerë prej 30 për qind.

Apel për të vazhduar me punën dërgoi edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski, duke shtuar se me ngecjen në ndërmarrje krijohen borxhe të reja, që është problem shumëvjeçar.