Dasmat në ambiente të mbyllura vlerësohet të jenë arsyeja kryesore e rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve gjatë ditëve të fundit. Komisioni për sëmundje ngjitëse dhe MSH mëngjesin e sotëm kanë propozuar ndalesë të dasmave dhe grumbullimeve tjera në ambiente të mbyllura. Objektet tjera gastronomike të mos mbushin më shumë se 30% të kapaciteteve ndërkaq në një tavolinë të mos ulen më shumë se 4 persona. KSI ka propozuar që të ketë kontrolle të rrepta për zbatimin e këtyre masave si dhe të intensifikohet vaksinimi në terren. Një propozim i tillë vjen pas rritjes rapide të rasteve të reja me Kovid, posaçërisht në rajonin e Tetovës.
Autoritetet Shëndetësore e cilësojnë si të rrezikshme valën e re në të cilën dominon lloji Delta i virusit ndërkaq shtojnë se nuk mund të parashikojnë më tej përhapjen eventuale.
“Kjo është shenjë se ka filluar vala, është fillimi i valës së ardhshme. Është një valë e re e cila po shihet me hapa shumë stabil dhe shumë rapid që po ngritën numrat, që është mjaft shqetësues për të gjitha autoritetet shëndetësore. 6:07 Kjo valë thuhet të jetë mjaft e rrezikshme por megjithatë nuk mund të parashikojmë se si do të sillet tek ne me një nr. rreth 30% të të vaksinuarve në vend dhe me numër të madh të atyre që e kanë kaluar virusin. Nuk mund të parashohim. Ne mendojmë se imunizimi artificial me vaksina dhe ai natyror ka arritur diku 60-70% por nuk mund të parashikojmë si do jetë rrjedha e kësaj pandemie, shpresojmë që mos kemi goditje të madhe”- deklaroi Ilir Hasani, Zëvendës ministër i Shëndetësisë.
Në qytetin e Tetovës numri i të prekurve dhe të hospitalizuarve është më i lartë, ndërsa numri i të vaksinuarve mbetet i ulët, bazuar në numrin e popullatës. Mjekët bëjnë thirrje për vaksinim.
“Në Spital momentalisht kemi rreth 36 pacientë të hospitalizuar të cilët afërsisht diku deri rreth 30 prej tyre janë me oksigjeno terapi. Shpresojmë që ky trend i rritje sa më shpejtë të ngadalësohet sepse kjo rritje enorme nuk do na sjell një fund të mirë. Apeloj deri te qytetarët që në mënyrë sa më masovike të vaksinohen sepse rrugëdalja e vetme që të mos përsëritet ajo që e kaluam është vetëm vaksinimi masiv, që të arrihet ai imunitet kolektiv”- pohoi Besnik Mustafai, Mjek.
Autoritetet apelojnë për vaksinim sa më masiv të popullatës si mbrojtje e vetme kundër komplikimeve të rënda nga virusi dhe pasojat me vdekje. Deri më tash në vend janë vaksinuar 533.386 qytetarë prej të cilëve 425,356 me dy doza. Nga analiza e ISHP, deri tani vetëm 11 pacientë të vaksinuar me dy doza janë hospitalizuar, ndërkaq nga mbi 400.000 të vaksinuar me dy doza vetëm 167 janë infektuar me virusin korona./Alsat/
Comments are closed for this post.