Ushtria izraelite ka lëshuar këtë të shtunë urdhra të reja evakuimi duke udhëzuar banorët e zonave në periferinë jugore të Bejrutit që të evakuohen menjëherë, duke pretenduar se grupi Hezbollah po i përdor ato.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichay Adraee urdhëroi banorët e disa ndërtesave në lagjet Borj El Brajneh dhe Hadath të periferive jugore të Bejrutit që “të evakuohen menjëherë dhe të qëndrojnë të paktën 500 metra larg”.
Më herët në mbrëmjen e së premtes, ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të ndërtesave në lagjet Laylaki dhe Hadath.
“Nëse ndodheni pranë pronave të Hezbollahut për sigurinë tuaj jeni të detyruar të evakuoni ndërtesat menjëherë dhe të largoheni,” thuhet nga njoftimi.
Pas paralajmërimit izraelit, mijëra njerëz u panë duke u larguar nga periferia jugore për në zona të tjera të Bejrutit, sipas një korrespondenti të Anadolu.
Zhvillimi i rrezikshëm vjen pasi avionët izraelitë kryen disa sulme të rënda ajrore në periferitë jugore të Bejrutit më herët të premten, duke pretenduar se kishin shënjestruar selinë kryesore të grupit libanez Hezbollah.
Comments are closed for this post.