Linja ajrore kombëtare e Turqisë, Turkish Airlines, ka zgjeruar gamën turneve të saj pa pagesë, duke ofruar shëtitje në Bosfor gjatë mbrëmjeve për pasagjerët tranzit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të projektit “Touristanbul”, Turkish Airlines u mundëson pasagjerëve tranzit që qëndrojnë nga gjashtë deri në 24 orë në Aeroportin e Stambollit, të shohin bukuritë historike dhe natyrore të qytetit, tha para gazetarëve Abdullah Yormaz, menaxheri i marketingut i linjës ajrore.

Me synimin për të kontribuar për kënaqësinë e pasagjerëve, për të rritur pjesën e saj në tregun ndërkombëtar të pasagjerëve tranzit dhe për të ofruar mbështetje promocionale për turizmin, Turkish Airlines shtoi turneun e Bosforit në Stamboll në paketën e saj të përditshme me gjashtë turne, tha Yormaz.

Ai theksoi se Turkish Airlines ka shëtitje falas për qytetarët ndërkombëtarë tranzit në Stamboll që nga viti 2009.

Rreth 5.000 pasagjerë përfituan çdo vit nga shërbimet turistike në vitin 2009, ndërsa ky numër ka arritur në 5.000 pasagjerë në muaj në vitin 2019, tha Yormaz.

“Në vitin 2018, kemi pasur mundësinë që 67.400 pasagjerëve t’ua prezantojmë bukuritë historike dhe turistike të Stambollit,” deklaroi Yormaz, duke shtuar se udhëtarë nga 63 vende kanë qenë pjesë e turneve gjatë së njëjtës periudhë.

Programi fillon më 1 maj dhe do t’u shërbejë pasagjerëve gjatë periudhës verore deri më 31 tetor, tha Yormaz.

Ai gjithashtu vuri në dukje se rreth 15.000 pasagjerë kanë marrë pjesë në programin turistik gjatë katër muajve të parë të vitit 2019.

Turkish Airlines, e themeluar në vitin 1933 me një flotë prej pesë avionësh, aktualisht ka një flotë prej 335 avionësh (pasagjerësh dhe ngarkesash) dhe fluturon në 308 destinacione në 124 vende, prej të cilave 49 vendase dhe 259 ndërkombëtare.