“Ministria e Drejtësisë gjatë kësaj jave do të fillojë procesin e miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, gjegjësisht do të vazhdojë procedurat nga viti 2015 nga grupi punues ndërministror”, ​​njoftoi në konferencë për media ministri i drejtësisë Nikolla Tupançevski.

Kodi i ri Zgjedhor do të përfshijë vërejtjet e OSBE-ODIHR-it dhe do të marrë parasysh propozimin për një zonë zgjedhore.

Mirëpo, Tupançevski nuk specifikon nëse Kodi i ri Zgjedhor do të nënkuptojë ndryshim të modelit zgjedhor, kërkesë kjo e cila u deklarua si kusht për mbështetjen e qeverisë nga partnerët më të vegjël të koalicionit.

“Ideja është që Ministria të fillojë procesin e përgatitjes së Kodit të ri Zgjedhor, i cili do të përfshijë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, por edhe vërejtjet e të gjithë aktorëve. Deri në fund të javës do t’u dërgojmë një letër partive për të marrë pjesë në përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor, por edhe shoqatave dhe organizatave joqeveritare të përfshira në këtë çështje. Ne duam që procesi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës sepse është një substancë tepër e ndjeshme. Indikacionet e faktorit ndërkombëtar janë që Kodi Zgjedhor të miratohet të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe të respektohet parimi i konsensusit. E drejta e votës nuk është dekorim por karakter shumëdimensional”, tha Tupançevski.

Lidhur me propozimin e partive më të vogla për ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore, Tupançevski tha se në Kodin Zgjedhor janë konstatuar mangësi, por nuk do të flasë për zgjidhje të pjesshme.

“Si do të duket Kodi i ri Zgjedhor nuk varet nga unë. Ne planifikojmë që kryetari i grupit të punës të mos jetë anëtar partie, por ekspert. Dhe cili do të jetë modeli do të varet nga grupi i punës, zgjidhjet dhe propozimet e ofruara. Këto janë ndryshime të veçanta, nuk jam i sigurt se do të jenë zgjidhje për atë që do të ofrojë Ministria e Drejtësisë. Nëse shkojmë në përgatitjen e një Kodi të ri Zgjedhor, do të thotë që të gjitha mangësitë që janë konstatuar duhet të hetohen. Ajo që ofrohet për momentin do të merret parasysh”, tha Tupançevski.