Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos ka ndërruar jetë mëngjesin e të shtunës pas një beteje të gjatë shëndetësore.Fortlumturia e Tij do të prehet në Shqipëri; ky ishte edhe amaneti i tij para se të mbyllte sytë përgjithmonë në moshën 95-vjeçare në një spital në Athinë. Janullatos do të prehet në katedralen ortodokse “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë ku në nder të tij do të mbahet për dy ditë edhe ceremonia e homazheve po në këtë katedrale.

Trupi i Kryepeshkopit pritet të transportohet përmes rrugës tokësore drejt Shqipërisë të martën. Janullatos pësoi hemorragji gastrike, dhe pas disa ditësh trajtimi në një spital privat në Tiranë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, duke e detyruar atë të transportohej më 3 janar drejt Athinës me një avion të Forcave Ajrore. Pavarësisht përpjekjeve mjekësore dhe kujdesit intensiv që ai mori, gjendja e tij u përkeqësua përditë, për shkak të funksionimit të pamjaftueshëm të disa organeve.

CEREMONIA

Pesë ditë zie kishtare janë shpallur në mbledhjen e Sinodit nga data 25 – 29 janar 2025. Në ditën e parë të zisë kishtare për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, në katedralet “Ngjallja e Krishtit”, në Korçë, Gjirokastër dhe Durrës u mbajtën gjatë mëngjesit të djeshëm shërbesat e përshpirtjes. Dhjetëra besimtarë u lutën dhe ndezën qirinj për prehjen e shpirtit të Kryepeshkopit Janullatos.

Trupi i pajetë i kryepeshkopit do të mbërrijë në Shqipëri të martën. Pritja do të bëhet para katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, në orën 16:00 të pasdites. Pas pritjes, do të mbahen homazhe brenda Katedrales gjatë pasdites të së martës si dhe ditën e mërkurë, në datë 29 janar. Ceremonia e varrimit do të bëhet të enjten e 30 janarit, ku Kryepeshkopit Anastas do t’i jepet lamtumira e fundit pas liturgjisë hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në orën 11:00.

Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë dhe patriarkë nga kishat ortodokse në botë. Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Anastas Janullatos u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga Patriku i Kostandinopojës në janar të vitit 1991, ku punoi për rilindjen e kishës që ishte shkatërruar gjatë 40 viteve persekutimi nga regjimi komunist.

Ai ia dedikoi jetën rindjezes së shpirtit misionar të Kishës Ortodokse dhe pas më shumë se 30 vitesh në Shqipëri, duket se ai e arriti qëllimin e tij. Jeta e Kryepeshkopit Anastas dhe puna e tij mund të përmblidhen në vetë fjalët e tij: “Ky është kontributi më i madh që kam dhënë, një kontribut teologjik për të ndihmuar Kishën të rizbulojë kush është në të vërtetë. Është një kontribut jete. Pozicioni im teologjik ka qenë gjithmonë të jetoj në misterin e një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike. Të jetoj misionin e Kishës në këndvështrimin e saj të saktë universal dhe eskatologjik. Për mua nuk mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, duhej t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qenia ime të jetonte në Krishtin”.