Autoritetet italiane të Torinos kanë zhvilluar një operacion të gjerë antidroge në provincat e Torinos dhe Frosinone si dhe në territorin shqiptar për ekzekutimin e nëntë masave paraprake me burg.
Në operacionin e quajtur ‘Carlav’, pasi e ka origjinën nga hetimet ndaj drejtuesve të lavazheve që menaxhonin në mënyrë të paligjshme disa plantacione marijuanë, hetuesit zbuluan një bandë me bazë logjistike në Volvera. Grupi vepronte midis Ekuadorit, Belgjikës, Francës, Spanjës dhe Italisë dhe dyshohet se furnizonte qendrat kryesore italiane të trafikut të drogës me sasi të konsiderueshme kokaine, hashash dhe marijuanë.
Sipas gjetjeve të karabinierëve, organizata drejtohej nga dy vëllezër me origjinë shqiptare, të cilët, duke shfrytëzuar burime të konsiderueshme financiare, rekrutuan ‘punëtorët e drogës’ në Itali dhe Shqipëri. Këta bashkëpunëtorë kishin për qëllim mbajtjen, transportin dhe shitjen e lëndës narkotike.
Trafikantët, ndër të tjera, kishin projektuar dhe testuar një nëndetëse të vogël, e cila mund të pilotohej nga distanca për qëllime transporti droge. Automjeti, i ndërtuar në fakt, nuk ishte vënë ende në funksion por testet per për ta përdorur atë ishin kryer brenda Lago Grande të Avigliana.
Gjatë hetimeve, të kryera nga nëntori 2021 deri në fund të vitit 2022, hetuesit kapën disa ngarkesa droge dhe sekuestruan mbi 204 kilogramë, përfshirë kokainë, hashash dhe marijuanë. Kokaina dyshohet se ka mbërritur në Itali nga Amerika e Jugut, duke kaluar përmes Holandës, ndërsa pjesa tjetër ka kaluar përmes Spanjës dhe Francës, duke përdorur makina të pajisura me dysheme dyshe të bëra vetë.
Comments are closed for this post.