Një mjek në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka thënë pacientit të tij se do të vdesë brenda pak ditësh, duke komunikuar me të përmes një video online.

Ernest Quintana 78 vjeç mori lajmin e keq në mënyrën më të papërshtatshme. Mjeku u shfaq në monitor dhe e informoi se i kanë mbetur pak ditë jetë. Një mik i familjes së pacientit, i revoltuar nga kjo situatë, shkroi në rrjetet sociale: “Nuk ishte mënyra e duhur për të treguar vlerat dhe dhembshurinë ndaj një pacienti”.

Julianne Spangler, shoqja e vajzës së pacientit, publikoi në rrjetet sociale një foto kur mjeku komunikoi përmes video online me pacientin. “Ishte një situatë jashtëzakonisht frustruese dhe një mizori se si kujdesi shëndetësor dhe teknologjia bashkëvepruan. Unë mendoj se përparimet e teknologjisë në mjekësi kanë qenë të mrekullueshme, por duhet të ketë një vijë ndarëse mes ‘ku’ dhe ‘kur”, tha ajo për BBC.

Gruaja e pacientit iu ankua stafit të spitalit për mënyrën se si mjeku i komunikoi lajmin e rëndë bashkëshortit të saj. Por një infermiere iu përgjigj duke i thënë: “Kjo është politika jonë, ne kështu i bëjmë gjërat”.