Të gjithë udhëtarët të cilët dje nga Shkupi kanë arritur në qytetin Turku të Finlandës janë vendosur në karantinë dhe do të testohen për Kovid-19.
Riita Liuksa, drejtore e Departamentit për mbrojtje civile të Turkut ka deklaruar se udhëtarët që jetojnë në Finlandë do të shkojnë në karantinë shtëpiake, ndërsa për të tjerët karantinë sigurojnë autoritetet lokale.
Ende nuk ka informacione se sa nga rreth 130 udhëtarët që arritën nga Shkupi janë finlandez dhe sa të huaj.
Udhëtarëve nuk u është lejuar të shfrytëzojnë transport publik në rrugën nga aeroporti deri te vendi i karantinës. Institucionet kompetente do të kontrollojnë nëse karantina respektohet, ndërsa për shkeljen eventuale të saj janë paraparë dënime.
Autoritetet finlandeze më parë njoftuan se nga 157 pasagjerët të cilët me aeroplan nga Shkupi të shtunën kanë shkuar për në Turku pas testimit të kryer, 26 kanë qenë pozitivë me Kovid-19.
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut sot njoftoi se sipas informatave të Shërbimeve nga Aeroporti i Shkupit dhe policia kufitare, shumica e 157-të pasagjerëve në aeroplan janë shtetas të Kosovës dhe të Finlandës, ndërsa vetëm dy janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Pjesa më e madhe kanë udhëtuar me pasaporta të Kosovës (95), me pasaporta finlandeze (60), ndërsa të tjerët janë me pasaporta të Maqedonisë së Veriut (2), shqiptare, bullgare, suedeze dhe estoneze.
Asnjëri prej tyre nuk është regjistruar në bazën e rasteve pozitive me Kovid-19 në vendin tonë që do të thotë nuk kanë vendim për izolim si raste pozitive nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor.
Megjithatë, MPJ përmes ambasadës në Stokholm e cila mbulon edhe Finlandën e ka kërkuar listën me emra të udhëtarëve te të cilët është konstatuar prania e virusit. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka paralajmëruar se pas analizës së të gjitha informacioneve do të vendoset nëse në të ardhmen do të kërkohen teste PCR për qytetarët e shteteve fqinje të cilët vetëm transitojnë nëpër vendin.
Comments are closed for this post.