Qëndrimi refuzues i Emmanuel Macron për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po e izolon gjithnjë e më shumë presidentin francez. Pas socialistëve edhe grupimet e tjera politike të Parlamentit Europian i kanë dalë kundër.

Pas socialistëve, edhe të djathtët e Partive Popullore Europiane deklarojnë se qëndrimi i Macron nuk dëmtojnë vetëm Ballkanin Perëndimor, por edhe Bashkimin Europian.

“Ky qëndrim dëmton interesat rajonale të Bashkimit Europian”, deklaroi për Euractiv Roland Freudenstein, drejtor i Qendrës së Studimeve Europiane “Wilfred Martens”, zë zyrtar i grupimit të të djathtëve në Parlamentin Europian.

Freudstein thotë se Macron ka marrë flamurin prijës në dilemën disavjeçare që kanë shumë vende të Europës Perëndimore.

“Nga njëra anë kemi dyndjen e qytetarëve të vendeve anëtare të Lindjes, si polakë, hungarezë, rumunë e bullgarë dhe nga ana tjetër është në lojë besueshmëria e Bashkimit Europian tek vendet e Ballkanit Perëndimor. Një “Jo” e tillë mund t’i shtyjë këto vende drejt krahëve të hapur të Rusisë, Kinës dhe Turqisë nëse BE nuk tregohet serioze sa i takon politikave të zgjerimit”, argumenton Freudstein për Euractiv.

Kreu i kësaj qendre të PPE-së mendon se peshorja anon nga e dyta dhe e cilëson të gabuar qëndrimin e Francës, pasi në fund të fundit nuk bëhet fjalë për anëtarëësim, por për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

“Në vend të bllokimit të bisedimeve të anëtarësimit, vendet anëtare duhet të këmbëngulin tek zbatimi me përpikmëri i të gjitha kushteve të anëtarësimit gjatë këtyre bisedimeve. Kjo t’i bëhet e qartë Komisionit Europian që duhet të rigjenerojë instrumentet e veta të vëzhgimit në terren për gjendjen e shtetit ligjor në vendet kandidate”, propozon Freudenstein.

Ky është qëndrimi zyrtar i Partive Popullore Europiane, që së bashku me socialistët mbeten ende dy grupimet më të mëdha në Parlamentin Europian edhe pas zgjedhjeve të fundit për këtë parlament. Forcë e tretë u renditen liberalët, që janë në koalicion me grupin e Macron të quajtur “Europa e Re”.

Por, megjithë këtë aleancë politike në Parlamentin Europian, vetë liberalët e ALDE-s janë kundër bllokimit të negociatave, sidomos me Maqedoninë e Veriut. Me këtë qëndrim të ALDE-s, pjesa dërrmuese e Parlamentit Europian mbështet hapjen e negociatave, duke lënë Emmanel Macron, të paktën për këtë çështje, në një aleancë të pazakontë dhe të pavullnetshme me ekstremistët e djathtë në PE.

Megjithatë, “Europa e Re” e Macron nuk ka ndërmend që të tërhiqet. Nathalie Loiseau, që ishte edhe kandidatja kryesore e Macron në zgjedhjet për Parlamentin Europian. “A jemi ne të gatshëm që të mendojmë zgjerimin në këtë moment kur Britania po largohet, kur duhet të reformojmë BE dhe kur një numër i vendeve anëtare nuk e kanë thënë ende se si do të financohet buxheti i përbashkët?! Nuk mendoj kështu”, deklaroi ajo për Euractiv.

Eurodeputetja franceze kujtoi azilantët shqiptarë.

“Kjo vë në pikëpyetje nëse Shqipëria mund të jetë një vend kandidat. Trafikantët dhe mafia gjithashtu drejton operacionet e saj nga Shqipëria në Europën Perëndimore dhe frymëzon emigrimin ilegal. Pra, Shqipëria duhet të përmirësojë luftën kundër krimit të organizuar”, shtoi Loiseau.

Por, sipas Lulzim Bashës, lufta kundër krimit të organizuar duhet të kryhet nga një qeveri tjetër.

“Tani, energjitë tona duhet të përqëndrohen në plotësimin e detyrave të shtëpisë. Gjermania na ka dhënë udhërrefyesin me 9 pika për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ne duhet të luftojmë efektivisht krimin dhe korrupsionin, duke u dhënë mundësi qytetarëve tanë në Shqipëri, çka do të reduktojë emigrimin e paligjshëm. Jam i bindur se vendi im i ka kapacitetet për të përmbushur këto kushte, por ajo që nevojitet është një lidership që duhet të çlirojë të gjitha këto kapacitete”, deklaroi kryetari i PD-së.

“Plani B” i Gjermanisë: Negociatat në dhjetor

Liderët e BE-së mbërritën dje në Bruksel me mendimin se do ta gdhinin për Brexit, por përfunduan duke diskutuar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pas mesnatës, kancelaria gjermane Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidenti i Këshilit të BE-së, Donald Tusk raportohet se kanë zhvilluar një takim kokë më kokë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tusk raportohet se është munduar të bindë vendet anëtare të firmosin draftin për negociatat, por Franca, Holanda dhe Danimarka kanë rezistuar. Në këto kushte, kancelaria Merkel ka dalë më një Plan B.

Gjermania, thonë burimet, do të propozojë shtyrjen e vendimit për në dhjetor të këtij viti, duke shmangur kështu “Jo-në” e sotme për Shkupin dhe Tiranën. Gjatë kësaj periudhe, Franca pritet të hartojë një dokumentet për reformimin e procesit të anëtarësimit, duke vendosur kushte të reja për integrimin në BE.

Sipas planit gjerman, vendimi për negociatat do të merret në dhjetor, kur pritet të gjendet një mënyrë për dhënien e dritës jeshile për Shkupin dhe Tiranën , dhe implementimin e rregullave të reja të Macronin.

Pas një nate të gjatë diskutimesh jo-përfshirëse, krerët e shteteve të BE-së do ta hapi sërish sot çështjen e negociatave, dhe nuk mund të themi me siguri nëse plani gjerman do të pranohet, por cilësohet nga mediat në Bruksel si alternativa më e mirë për të mos “vrarë shpresat” e Shkupit dhe Tiranës.

Të gjithë sytë e liderëvë të BE-së janë sot nga Franca dhe Holanda, të cilat janë kthyer në pengesën kryesore për hapjen e bisedimeve të pranimit.

Kryeministri holandez Mark Rutte tha sot se udhëheqësit e BE do të rishikojnë çështjen e Shqipërisë dhe Maqedonië se Veriut në një samit pasues, por nuk përcaktoi se kur.

“Euractiv” shkruan se përveç, Holandës dhe Danimarkës, edhe Spanja ka dalë kundër Shqipërisë, duke thënë se vendi ynë ka probleme me krimin e organizuar dhe se reformat po ecin me ritme të ngadalta.