Arben Taravari në Click Plus ka deklaruar se me zgjedhjet lokale prite të përfundojë edhe karriera politike e Ali Ahmetit.

“Unë mendoj se përfundimi politik i Ali Ahmetit do të jenë zgjedhjet lokale. Unë besoj se VLEN-i do të bëjë rezultat dhe zotëri Ahmeti do të del atë natë dhe do ta pranojë humbjen në zgjedhjet lokale dhe besoj se karriera e tij politike, fatmirësisht, apo fatkeqësisht, varësisht se kush si e sheh, do të përfundojë”, theksoi Taravari.

Taravari ka komentuar deklaratën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti të thënë në Kumanovë, që nëse merr edhe një votë më pak se oponentët e tij, do të shkojë në shtëpi, duke menduar për pensionimin politik.

“Ali Ahmeti është duke i humbur zgjedhjet prej vitit 2011. Tre partitë shqiptare opozitare të atëhershme që nuk arritën të bashkoheshin, mendoj për RDK-në, DR-në dhe PDSh-në kishin shumë më shumë vota se sa BDI-ja. Praktikisht, mosbashkimi i këtyre partive shqiptare opozitare i mundësoi zotëri Ahmetit pak më shumë vota. 2016, Besa, RDK, LR-PDSh, Uniteti dhe PDSH-ja kishin shumë më shumë vota se zotëri Ahmeti, por përsëri ai arriti që me mekanizmat që i kishte të pamundësojë bashkimin e opozitës shqiptare. Praktikisht, edhe atëherë, nëse do të bashkohej opozita, do ta fitojnë me 20-30 mijë vota më shumë. 2020, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, të ishin bashkë edhe me Besën e cila atëherë shkoi bashkë në zgjedhje me LSDM-në, ju garantoj përsëri se zotëri Ahmeti dhe BDI do të ishin humbës. Dhe 2024, mos t’i merrte partitë e pakicave, rezultati do të ishte më pak se që kishte VLEN-i. Kështu që zotëri Ahmeti i ka humbur shumë herë zgjedhjet, por me mjeshtërinë e tij, me dinakërinë e tij ka arritur të krijojë përçarje në opozitën shqiptare dhe të pamundësojë bashkimin e partive opozitare shqiptare”, deklaroi Taravari.

Taravari ka deklaruar se deri në janar të 2025, do të bëhen ndryshimet kushtetuese, por zgjodhi të komentojë edhe mundësinë e daljes nga Qeverit të VLEN-it.

Taravari tha se nëse VLEN-i vendos të dalë nga Qeveria, atëherë çfarë do të ndodh sepse nga ana tjetër BDI thotë se ata nuk do të hyjnë në Qeveri e kurse VMRO dhe ZNAM kanë 61 vota të deputetëve.

“Ia kemi dhënë kusht vetes që deri në janar të 2025 të bëhen ndryshimet kushtetuese. E shoh se dikush prej analistëve politike thotë se: “A thatë ju që do ta kushtëzoni Qeverinë se nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, nuk do të hyni në Qeveri?”. Ja, unë ju them hipotetikisht, Aleanca nuk është në Qeveri? Ja, VLEN-i nuk është në Qeveri? A mundemi vetëm ne shqiptarët t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese? Ja, zotëri Ahmeti thotë largohuni prej Qeverisë dhe VLEN-i vendos ta dëgjojë dhe largohet nga Qeveria. Por çfarë bëjmë? Çfarë është rezultati i asaj? Ne e dimë por edhe kryeministri e tha në Kuvend se vazhdimisht ka presion, prej lidhjeve të ndryshme që ka, se na duhet gjysma e asaj që e ka VLEN-i, duke insistuar se nuk është me rëndësi sa ministri marrin vetëm për të hyrë në Qeveri. O zotëri na trego çfarë bëhet nëse dalim prej Qeverisë? A keni plan? Ju thoni se nuk hyni në Qeveri, VMRO me ZNAM-in janë, por s’mund të ketë Qeveri pa shqiptarët. Praktikisht mund të ketë sepse me ZNAM-in i kanë mbi 60 deputetë. Por sa do të jetë kjo funksionale? Zotëri Ahmeti nuk është i qartë. Le të thotë të ulemi me VLEN-in dhe të tregojë se ky është plani. Ashtu dilni ju, ne hyjmë, ne nuk hyjmë… Ne çojmë vazhdimisht njerëz që të lobojnë që BDI të hyjë në Qeveri, kjo duket paradoksale”, deklaroi Taravari duke shtuar “se BDI në takimet me qytetarët po tregon se nuk ka ndonjë plan”.