Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari dhe ai i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Timço Mucunski kanë vizituar mëngjesin e sotëm të lënduarit nga zjarri në Koçan, të cilët janë të shtruar në spitalin Papanikolaou dhe atë Ushtarak në Selanik.

Taravari njofton se pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa ka falënderuar kolegët në Greqi për ndihmën.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit së bashku me Ministrin për punë të jashtme Timço Mucunski dhe me Dr. Ilir Velën erdhëm në Selanik për të parë gjendjen e pacientëve të shtruar këtu. Sapo dal nga spitali “G. Papanikolaou General Hospital” dhe Spitali Ushtarak në Selanik, të 5 pacientët që janë shtruar në këto spitale janë për momentin stabil. Falënderoj kolegët tanë të Selanikut, popullin dhe qeverinë greke për përkushtimin dhe ndihmën e tyre! Do ju mbajmë të informuar për pacientët e tjerë!”, ka shkruar Taravari.

Në zjarrin e ndodhur më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa mbi 140 të lënduar janë trajtuar brenda dhe jashtë vendit.