Sot edhe zyrtarisht Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) iu dorëzua pajisja e dedikuar për matjen e cilësisë së ajrit me vlerë prej më shumë se 300 mijë euro e siguruar në kuadër të mbështetjes së Suedisë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Maqedoninë e Veriut.

Krahas kësaj, Suedia edhe financiarisht e ka ndihmuar bashkëpunimin ndërmjet Agjencisë Suedeze të Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor (EPA Suedeze) dhe MMJPH, nëpërmjet projektit trevjeçar “Mbështetja e Maqedonisë së Veriut në aderimin në BE në fushën e ambientit jetësor.”

MMJPH fitoi një pajisje laboratorike lartë precize për matjen e cilësisë së ajrit. Me projektin u përmirësuan kapacitetet e matjes së tetë stacioneve matëse të shpërndara nëpër Maqedoninë e Veriut, ku u zëvendësuan 14 instrumente matëse të vjetruara për PM10, oksid azoti dhe ozon dhe u instaluan 8 të reja për ndjekjen e koncentrimit të PM2.5 Këto parametra paraqesin një komplet standard të substancave ndotëse që ndiqen dhe që kanë ndikim të madh mbi shëndetin njerëzor.

“Zëvendësimi i instrumenteve të vjetra matëse dhe vendosja e të rejave në stacionet e monitorimit në kuadër të Sistemit shtetëror automatik të monitorimit të cilësisë së ajrit ambiental ishte një sfidë e madhe, sidomos për arsye se do të thotë përmirësim i sistemit, i cili është burimi i vetëm zyrtar i të dhënave për cilësinë e ajrit në nivelin nacional”, deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, duke theksuar se ky sistem është me rëndësi të madhe për menaxhimin e cilësisë së ajrit, krijimin e politikave nacionale, informimin e Agjencisë Evropiane të Ambientit Jetësor dhe disa marrëveshjeve ndërkombëtare si edhe për përpjekjet tona të vazhdueshme për zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe me këtë edhe përshpejtimin e procesit të eurointegrimit.

Me qëllim që t’i ndihmohet Maqedonisë së Veriut në mbindërtimin e sistemit për matjen e cilësisë së ajrit dhe për grumbullimin e të dhënave për cilësinë e ajrit në përputhje me standardet e BE-së, që paraqesin kriteret për aderim në BE, Agjencia Suedeze e Mbrojtjes së Ambientit Jetësor e vërejti nevojën e vendit për përforcimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve të duhura për monitorimin e cilësisë së ajrit.

Ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Kristin Forsgren Bengtson, foli për rëndësinë e projektit në drejtim të përmirësimit të efikasitetit të institucioneve përgjegjëse për matjen e cilësisë së ajrit.