Sot, në Kuvendin e Maqedonisë do të vazhdojnë punimet për seancën e 32-të, ku në rend dite është ligji për pakon e 5 ekonomike.

Caktimi i kësaj seance, erdhi pasi dje kryeparlamentari Talat Xhaferi realizoi koordinim të jashtëzakonshëm.

“Përfundimi i takimit koordinues është se nesër (15 prill), Kuvendi vazhdon me punë me seancën 32, ndërsa për dinamikën e mëtejme të punës, do të koordinohen në plotësim”, u njoftua dje pas takimit.

Ndërkaq për ligjet tjera të cilat po ashtu janë të bllokuara nga opozita, u njoftua se do të realizohen koordinime shtesë.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi njoftoi se, në pakon e 5 nuk është vetëm masa për mbështetjen financiare për pagat, por ka edhe një numër masash të tjera që nënkuptojnë mbështetje indirekte për kompanitë dhe ndërmarrjet.

U njoftua gjithashtu, se afati për të aplikuar për realizim të pagesave për muajin shkurt dhe mars, është zgjatur deri më 30 prill, dhe e reja është se punëdhënësit do të jenë në gjendje të aplikojnë për të dy muaj në të njëjtën kohë.