Në familjet tona, tashmë ajo nuk është e panjohur. Bëhet fjalë për Natën e Kadrit, e cila është nata më e bekuar dhe më e begatë për çdo besimtar musliman. Sipas fesë islame, nata e Kadrit është nata në të cilën kanë zbritur ajetet e para të Kuranit. Kur’ani filloi të shpallet në këtë natë, prandaj edhe quhet natë e bekuar. Në këtë natë zgjidhet çdo çështje dhe caktohet fati i çdo krijese për vitin që vjen.
E cilësuar si nata më e vlefshme se një mijë muaj, kjo natë fal gjynahet dhe mbulon të këqijat, pra është nata e faljes dhe mëshirës. Prej madhështisë së kësaj nate është edhe hapja e dyerve të qiejve për të pranuar lutjet e atyre që i drejtohen Zotit, për t’u zgjidhur hallet, larguar vështirësitë dhe për t’u sjellë gëzimin. Duke ditur se jeta mesatare e njeriut nuk i kalon 75 vitet, do të thotë se kjo natë është më me vlerë se e gjithë jeta e njeriut.
Por, është një pyetje e cila na lind natyrshëm: Kur është Nata e Kadrit dhe si kuptohet ajo? Një numër jo i vogël dijetarësh myslimanë kanë konluduar se Nata e Kadrit bie në natën e njëzet e shtatë të Ramazanit. Përgjigja e saktë rreth kësaj pyetje është se kjo natë bie në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Fshehja e saj është bërë me qëllim që besimtarët myslimanë të fitojnë sa më shumë shpërblime, duke e kërkuar atë gjatë kësaj periudhe.
Prandaj, për ata që duan të fitojnë mirësitë e Zotit, del si nevojë e natyrshme që dhjetë ditë-netët e fundit të muajit Ramazan: – të gjallërojnë natën me adhurime, pra të falin namaz vullnetar; – të pendohen për mëkatet dhe të kërkojnë mëshirë nga i madhi Zot.
Comments are closed for this post.