Moti ekstrem po sjell pasoja në të gjithë botën, madje edhe në rajonet më të largëta si Siberia në Rusinë verilindore. Klima e ngrohtë po ndryshon çdo aspekt të jetës së njerëzve. Në zonat si Siberia, shkrirja e shtresave të ngrira të tokës nga ndryshimi i klimës po çliron një rezervuar të gjerë të gazeve serrë që kanë potencialin të shkaktojnë shpejtimin e ngrohjes globale dhe rrëshqitje masive të dheut.
Në Siberi shtresa e sipërfaqes së tokës që ka qenë përherë e ngrirë po shkrihet.
Kjo shtresë e ngrirë toke shtrihet në 65 për qind të territorit të Rusisë dhe përbën gati një të katërtën e hemisferës veriore.
Toka e ngrirë në këtë rajon mund të arrijë deri në qindra metra thellësi dhe teknikisht përkufizohet si dhe i ngrirë për një periudhë dy vjeçare ose më shumë, por tani ngrohja globale po shkakton shkrirjen e saj dhe çlirimin e karbonit dhe metanit në atmosferë.
Shkencëtari Nikita Zimov është rritur në këtë rajon me babanë e tij dhe kolegun e tij shkencëtar Sergei Zimov. Ata drejtojnë një stacion kërkimi shkencor afër Çerksit në lumin Kolima.
“Ky është akull i pastër, pesëdhjetë për qind e sedimenteve nuk janë karbon, dhe ai po shkrihet me shpejtësi. Akulli po përzihet me këto sedimente dhe po i shndërron ato në baltë. Kjo po rëndon mbi sipërfaqen e tokës dhe për këtë arsye shtresat e ngrira janë të rrezikshme, pra jo vetëm për shkak të karbonit që ato përmbajnë”, thotë studiuesi Nikita Zimov.
Ky nuk është një fenomen i ri për studiuesin Sergei Zimov, i cili për shumë vite ka paralajmëruar për rreziqet e shkrirjes së dheut në këtë zonë.
“Kur isha fëmijë, temperatura në shtresat e ngrira ishte minus gjashtë gradë celsius, tani është mesatarisht minus tre gradë. Nëse është një vit jashtëzakonisht i ngrohtë dhe nëse ka shumë dëborë në dimër, ashtu si në vitin 2018, dheu i ngrirë fillon të shkrijë dhe kemi patur një rast që në shumë zona gjatë gjithë dimrit, toka nuk ngriu plotësisht. Pra, kjo shtresë arktike, shtresa që shkrihet çdo verë, normalisht ngrin përsëri nga muaji nëntor ose dhjetor, por në vitin 2018 kjo thjesht nuk ndodhi”, thotë studiuesi Nikita Zimov.
Për shumë dekada, drerët kanë qenë një burim jetese dhe ushqimi për banorët e këtij rajoni. Kjo mënyrë jetese ndërlidhet me mjedisin dhe ndryshimi i klimës po i detyron këta njerëz të mësojnë se si të përshtaten me realitetin e ri. Ndryshimi i klimës ka çuar edhe në ndryshimin e rrugëve të migrimit për drerët dhe në shumë raste po dëmton këmbët dhe muskujt e drerëve ndërsa ata përpiqen të gjejnë bar.
Studiuesi Nikita Zimov thotë se balta, erozioni dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga ndryshimi i klimës po dëmtojnë ekosistemin, bimët, pemët, rrugët dhe shtëpitë.
Ai paralajmëron se ndryshimet që po ndodhin në rajonin e Siberisë mund të kenë pasoja globale.
“Mikrobet që ndodhen në shtresat e ngrira të tokës këtu do të aktivizohen dhe do të fillojnë të shndërrojnë këtë lëndë organike në gaze serë, si dioksid karboni dhe metil”.
Temperaturat në Rusi po rriten dy herë e gjysmë më shpejt se në pjesën tjetër të botës.
Administrata Amerikane e Oqeaneve dhe Atmosferës vlerëson se në nivel global ngricat e përhershme përmbajnë rreth 1,400 gigatonë karbon, më shumë se sasia që tashmë është në atmosferë./voa
Comments are closed for this post.