Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Turqisë që të miratojë pranimin e Suedisë në NATO. Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka deklaruar se ka ardhur koha” që vendi i Evropës veriore të bashkohet me aleancën.
Duke folur së bashku me kryeministrin suedez Ulf Kristersson, diplomati i lartë amerikan tha se Suedia është kualifikuar për t’u bashkuar me NATO-n që nga dita e parë.
“Ne i bëjmë thirrje Turqisë dhe Hungarisë, e cila gjithashtu nuk e ka ratifikuar ende, të ratifikojnë pranimin sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka asnjë arsye për t’a shtyrë më shumë. Ky vendim duhet të shkojë përpara tani. Mendoj se Turqia me të drejtë ka përqendruar vëmendjen në disa nga shqetësimet e saj të sigurisë, të cilat Suedia dhe Finlanda kanë ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm për t’i adresuar.“
SHBA dhe aleatët kanë rritur presionin në maksimum ndaj Turqisë dhe kërkojnë anëtaresimin e Suedisë në NATO brenda Qershorit. Gjatë një bisede telefonike me ministrin e jashtëm të Turqisë Mevlut Cavusoglu, Blinken përsëriti edhe njëherë se nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, tani është koha për të finalizuar pranimin e Suedisë. Të njëjtën thirrje bëri edhe presidenti amerikan Joe Biden gjatë bisedës telefonike me presidentin turk Erdogan.
Gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo,u shpreh se po punon ngushtë me Turqinë që pranimi të bëhet sa më parë.
“Suedia do të bëhet anëtare. Unë jam në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me autoritetet turke për të siguruar që Suedia të bëhet një anëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Siguria e tyre është më e fortë.”
Blinken hodhi poshtë gjithashtu sugjerimin se administrata Biden po e lidh miratimin e Turqisë për pranimin e Suedisë në NATO me shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Ankara. Një senator i lartë amerikan, i cili ka kundërshtuar prej kohësh shitjen e mundshme të avionëve luftarakë F-16 në Turqi, ka deklaruar se presidenti turk Erdogan të mbajë një qëndrim më të zbutur ndaj aleatëve të NATO-s dhe fqinjëve të Turqisë përpara se të heqë kundërshtimin e tij për Suedinë.
Comments are closed for this post.