Ka shkuar në katër numri i viktimave të koronavirusit në Itali. Viktima e katërt ishte një burrë 84-vjeçar nga Bergamo. Ky është person i tretë që vdes nga koronavirusi në rajonin e Lombardisë.
Së paku 152 persona janë infektuar me koronavirusin COVID-19 deri më tash në Itali. Autoritetet i kanë vendosur në karantinë më shumë se dhjetë qyteza në pjesën veriore të Italisë në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.
Të dielën në mbrëmje, Austria ia ndaloi hyrjen një treni që vinte nga Italia pasi kompania italiane e hekurudhave i njoftoi autoritetet austriake se në këtë tren ndodheshin dy persona me temperaturë të lartë.
Autoritete lokale në Lombardi dhe Veneto kanë marrë vendim për mbylljen e shkollave dhe universiteteve për të paktën një javë. Është anuluar edhe karnavali i famshëm i Venecias, shkruan “Sky News“.
Guvernatori i Venetos, Luca Zaia, tha se gjatë karrierës së tij është përballur me fatkeqësi të ndryshme natyrore, përfshirë vërshimet dhe tërmetet, por se koronavirusi është absolutisht problem më i rëndë me të cilin është marrë.
Rreth 50 mijë banorë të pjesës veriore të Italisë janë vendosur në karantinë. Autoritetet kanë kërkuar nga banorët që të mos dalin nga shtëpitë e tyre pa leje të veçantë.
Comments are closed for this post.