Zëvendëskryeministri dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Damir Kërstiçeviq, i cili është duke qëndruar për vizitë në vend, si sukses historik për Maqedoninë e vlerësoi nënshkrimin e nesërm të Protokollit për inkuadrim në NATO nga vendet anëtare në Bruksel.

Me nënshkrimin e Protokollit, theksoi ai në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, Maqedonisë i mundësohet vazhdimi i integrimeve euroatlantike, anëtarësimi i ardhshëm edhe në NATO edhe në Bashkimin Evropian.

Ai shprehu kënaqësi që pikërisht këtë javë është në Shkup kur ndodh ky moment historik për Maqedoninë dhe shtoi se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë vendin në rrugën evropiane dhe euroatlantike me ofrimin e të gjithë njohurive dhe përvojave kroate. Përkujtoi se Ambasada kroate në Shkup në vitin 2017 dhe 2018 ishte në kontakt me strukturat e NATO-s gjatë gjithë procesit që Maqedonia e realizoi në këtë periudhë, në mesin e së cilave ishin edhe bisedimet parainkuadruese.

“Kroacia dhe Maqedonia janë vende mike, kanë bashkëpunim të shkëlqyer në Mbrojtje, vendet janë së bashku në nismën A5 në kuadër të së cilës kanë bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe përgatitje të përbashkëta të ushtarëve tanë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse”, deklaroi Kërsteviq.

Ai i përgëzoi Maqedoninë dhe Greqinë për Marrëveshjen e Prespës dhe për atë që ia kanë dalë që ta zgjidhin një kontest aq të rëndë.

Ministrja Shekerinska shprehu kënaqësi që mu në këtë moment historik para nënshkrimit të nesërm ministri i Mbrojtjes i Kroacisë vjen për vizitë në Maqedoni.

Shekerinska shprehu pritshmëri se Kroacia shumë shpejtë do ta mbështesë vendin me ratifikimin e anëtarësimit të Maqedonisë në Aleancë.

Ajo theksoi se shembulli i Kroacisë u pa se sa anëtarësimi në NATO ndikon pozitivisht jo vetëm ndaj sigurisë por edhe ndaj të gjitha proceseve politike por edhe ndaj integrimit në BE.

Ministrja e Mbrojtjes shtoi se së shpejti përsëri do të takohet me homologun e saj Kërstiçeviq, por kësaj radhe në Bruksel, javën e ardhshme, kur pas nënshkrimit të Protokollit për herë të parë një ministër i Maqedonisë do të ulet në tryezë të njëjtë me vendet e tjera anëtare, në kuadër të takimit të ministrave të Mbrojtjes të shteteve të Aleancës.

“Kolegë Damir shihemi së shpejti në NATO. Do të kem kënaqësinë takimi jonë i radhës të jetë në Bruksel në pjesëmarrjen e parë zyrtare të një ministri të Mbrojtjes nga Republika e Maqedonisë, e cila në atë moment do të jetë edhe Republika e Maqedonisë së Veriut në takim me të gjithë ministrat e Mbrojtjes së Aleancës së NATO-s”, theksoi Shekerinska.

Kërstiçeviq gjatë qëndrimit në Maqedoni do t’i vizitojë forcat speciale të ARM-së, do të njoftohet me punën e tyre dhe do t’i bart përvojat kroate në këtë drejtim.