Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara Kamala Harris do të bëjë publike të hënën investime që kapin shifrën 1.2 miliardë dollarë nga sektori privat amerikan për Amerikën Qendrore, si pjesë e një programi që synon uljen e migracionit nga rajoni.
Njoftimi pritet të bëeht në një takim që zonja Harris do të mbajë me drejtues nga 10 kompani për të diskutuar mbi nismat për investime në Amerikën Qendrore.
Shtëpia e Bardhë tha se në investimet prej 1.2 miliardë dollarësh, bën pjesë një program pesëvjeçar prej 150 milionë dollarësh për të zgjeruar mbështetjen për fermerët në Honduras, Guatemalë dhe El Salvador, si dhe 50 milionë dollarë nga oraginzata “CARE International” për të ngritur një Qendër për Barazi Gjinore në Amerikën Qendrore, për fuqizimin ekonomik të grave, qasjen në burimet financiare dhe reduktimin e dhunës me bazë gjinore.
Në Honduras, Shtëpia e Bardhë tha se kompania Parkdale Mills ka në plan të ndërtojë një fabrikë të re tekstilesh që do të mbështesë 500 punonjës.
“Këto angazhime janë pjesë e planit të nënpresidentes që filloi në maj, për të trajtuar në mënyrë të qëndrueshme shkaqet e migrimit përmes nxitjes së zhvillimit ekonomik,” tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Zonja Harris drejton përpjekjet e administratës Biden për të frenuar migrimin nga Amerika Qendrore drejt kufijve të Shteteve të Bashkuara, përmes zgjidhjes së shkaqeve që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendet e tyre./VOA
Comments are closed for this post.