Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka propozuar që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen në fund të korrikut ose fillim të muajit gusht.

Shkak për këtë periudhë Sela përmend temperaturat e larta të cilat sipas shumë ekspertëve janë në disfavor të virusit, ndërsa kjo periudhë thotë ai është edhe para stinës së vjeshtës kur ka gjasa të paraqitet vala e dytë e infektimeve me korona virus.

Kreu i ASH-së është shprehur se Kuvendi duhet të funksionojë sa më shpejtë te jetë e mundit, pasi situata e këtillë krijon precedent që edhe në të ardhmen çdo president të vazhdojë kokë në vete gjendjen e jashtëzakonshme me nga 30 ditë shtesë deri në pafundësi. Kjo thotë Sela e shpien vendin drejt totalitarizmit.

Ai kërkoi që të ketë lehtësime të lëvizjes së qytetarëve dhe të shtyhet ora policore, ndërsa theksi kryesor ishte tek gjobat ndaj qytetarëve që ishin në karantinë. Sela tha se dënon aktin e dënimeve ndaj mërgimtarëve që ishin në karantinë dhe ndaj të cilëve janë shqiptuar dënime në vlerë prej 3 mijë euro, vetëm pse nuk kanë plotësuar formularin në gjuhën maqedonase, dhe kanë kërkuar që të jetë në gjuhën shqipe.

Sela kërkoi që të shlyhen të gjitha gjobat ndaj qytetarëve që janë shqiptuar gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme dhe orës policore.

Kreu i ASH-së tha se shumë qytetarëve që janë jashtë shtetit nuk i janë përgjigjur apo janë anashkaluar nga institucionet përgjegjëse për tu kthyer në shtëpitë e tyre. Sipas tij, ka pasur raste që qytetarët kanë bërë kërkesa nëpër ambasada, por nuk kanë marrë përgjigje, derisa ata që kanë pasur të njohur këtë të drejt e kanë shfrytëzuar.