Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhet të mbahen seanca për “Tarifën”, “Monstrën” dhe “Treqind” të PSP-së.

Rasti “Monstra” e cila ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smillkovës më 12 prill 2012 e udhëheq gjykatësi Ognen Stavrev i cili gjendet në procedurë dëshmie.

Në seancën e kaluar gjyqësore opinioni ishte përjashtuar sepse  janë prezantuar dëshmi  të siguruara me masa të veçanta hetuese.

Për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovit në 12 prill të vitit 2012, kur ishin vrarë djemtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, me burg të përjetshëm u dënuan  Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Ezim dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata Supreme në dhjetor të vitit 2017 i hoqi aktgjykimet, i liroi  nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri, dhe u caktoi masë të kujdesit. Pas heqjes së gjykimeve, rastin “Monstra” e ndërmori PSP dhe lënda ishte kthyer  në gjykim të sërishëm.

Në bankën e të akuzuarve sot duhet të ulen ish drejtori i përgjithshëm i SHA “ELEM” Dejan Boshkovski dhe dy persona tjera të cilët akuzohen për rastin “Tarifa”. Bëhet fjalë për akuzë të furnizimit kundërligjor të sistemit softuerik për nevojat e kompanisë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” në vlerë rreth katër milionë euro.

Në Gjykatën Penale në Shkup sot sërish ka filluar gjykimi për rastin “Treqind” të Prokurorisë Speciale Publike, kundër ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Gjoko Popovski për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë furnizimit të 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska në maj të vitit të kaluar e dënoi Popovskin me nëntë vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zbatimit të procedurës tenderiale dhe zgjedhjen  e ofertës më të volitshme gjatë furnizimit të 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Brendshme.

Sipas akuzës së PSP-së Popovski nuk i ka respektuar  rregullat ligjore për furnizim publik dhe e ka dëmtuar buxhetin 453.570  euro.