Uragani “Dorian” i  ka goditur rëndë Ishujt Bahamas me erëra të shpejta e të fuqishme, reshje të mëdha të shiut dhe stuhi. Deri më tash, autoritetet kanë raportuar për së paku pesë viktima.

Mijëra shtëpi janë vërshuar nga uji, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen t’i largojnë banorët e bllokuar, disa prej të cilëve janë detyruar të qëndrojnë mbi kulmet e shtëpive.

Kjo stuhi ka qëndruar në ishullin Grand Bahama për më shumë se 24 orë. Sidoqoftë, Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se uragani është dobësuar dhe tashmë ka rënë në kategorinë e tretë, ndonëse në këtë ishull janë regjistruar erëra me shpejtësi prej 190 kilometrash në orë.

Qendra e stuhisë së tmerrshme ishte rreth 30 milje në verilindje të qytetit Freeport në ishullin Grand Bahama dhe rreth 100 milje larg brigjeve të Floridës.

Së paku pesë persona vdiqën në Ishujt Abaco në pjesën veriore të Bahamas. Lajmin e bëri të ditur kryeministri i këtij vendi, Hubert Minnis. “Jemi në mesin e një tragjedie historike. Misioni ynë tashmë janë kërkimi dhe shpëtimi i njerëzve”, tha ai.

Ai shtoi se roja bregdetare amerikane ka ofruar ndihmë dhe tashmë i ka shpëtuar disa njerëz të lënduar, shkruan “The Guardian”.