Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, njoftoi të mërkurën se do të kërkojë votëbesim më 16 dhjetor, për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shkurt.

Ai e bëri këtë njoftim gjatë një fjalimi në Parlament, një javë pasi dështoi koalicioni qeverisës trepartiak.

Gjermania është qeverisur prej vitit 2021 nga një koalicion i udhëhequr nga partia e Scholzit, Socialdemokratët, i cili përfshinte edhe të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë.

Aleanca mes tyre ishte e përçarë dhe jo e lehtë, dhe përfundimisht dështoi javën e kaluar kur Scholzi e shkarkoi ministrin e Financave, Christian Lindner, i cili vjen nga Demokratët e Lirë, pas mosmarrëveshjeve për mënyrën se si të ringjallej ekonomia e dobësuar e vendit.

Katër kandidatë pritet të garojnë për kancelar në shkurt, raporton REL

Scholz tha se dëshiron të garojë përsëri – edhe pse partia e tij nuk e ka bërë të ditur ende kandidaturën e tij.

Merz nga CDU-ja, i cili prin në sondazhe tani për tani, u nominua zyrtarisht nga partia e tij në shtator.

Për të Gjelbrit do të garojë ministri i tanishëm i vendit dhe zëvendëskancelari, Robert Habeck.

Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka thënë se do ta nominojë lideren e partisë, Alice Weidel, kandidat për kancelar muajin e ardhshëm.