Duma e Shtetit rus miratoi në leximin e tretë dhe përfundimtar një projektligj që lejon mbajtjen e zgjedhjeve sipas ligjit ushtarak. Dokumenti do të lejojë Moskën të mbajë zgjedhje parlamentare dhe lokale në territoret e Ukrainës të kontrolluara prej saj.
Në tetor të vitit 2022, Moska njoftoi aneksimin e rajoneve Donjeck, Zaporizhja, Luhansk dhe Kerson të Ukrainës. Nga pikëpamja e legjislacionit rus, këto rajone janë të Rusisë.
Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar nuk i njohin pretendimet e Rusisë mbi këto territore.
Megjithatë, me dekret të presidentit rus Vladimir Putin në të gjitha këto rajone është shpallur gjendje lufte dhe veprohet me ligjin ushtarak. Aktualisht, sipas ligjit ushtarak rus, në rajonet ku është futur një regjim i tillë, referendumet, zgjedhjet për autoritetet shtetërore dhe qeveritë lokale nuk zhvillohen.
Por në të njëjtën kohë, ligjet për pranimin e subjekteve të reja në Rusi thonë se zgjedhjet duhet të mbahen në këto rajone në vjeshtën e vitit 2023. Sipas paketës së ligjeve të miratuar më 18 maj, projektligji, i cili duhet të miratohet nga dhoma e lartë e Parlamentit, Këshilli i Federatës, dhe të nënshkruhet nga Putini për të hyrë në fuqi, lejon zgjedhjet gjatë gjendjes nën ligjin ushtarak me miratim nga organet e mbrojtjes dhe sigurisë.
Comments are closed for this post.