Rusia vazhdon të ketë një ndikim të konsiderueshëm në Ballkan, të cilin tenton ta ruajë duke penguar integrimet euroatlantike të vendeve të saj.
Këtë e thanë pjesëmarrësit në emisionin “EuroTalks” të FrankoEgros, i emituar në televizioninEuronewsAlbania.
Studiuesi i marrëdhënieve ballkanike, Xhelal Neziri, i cili është edhe bashkëpunëtor nga Shkupi i portalit “TheGeopost” ka thënë se ndikimi rus është i pranishëm edhe në Maqedoninë e Veriut.
“Qëllimi i këtij ndikimi ishte të parandalohet integrimi i vendit në NATO. Me integrimin në BE si duket Rusia nuk ka aq shumë probleme. Por, me zgjerimin e NATO-s Rusia përherë bëhet gjithnjë e më shumë nervoze. Kjo nervozë hetohet edhe në rastin e Ukrainës.Rusia pranon të ketë baza ushtarake të NATO-s në Ukrainë, por kundërshton ashpër anëtarësimin e këtij vendi në Aleancën Veri-Atlantike. Para arritjes së Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, para ndërrimit të pushtetit në vitin 2016 dhe pas 2018-ës kur nisi integrimi në NATO, ministri i jashtëm rus kishte një paralajmërim të drejtpërdrejtë në adresë të Shkupit se me anëtarësimin në NATO Maqedonia e Veriut bëhet cak legjitim i Rusisë”, tha Neziri.
Sipas tij, ky kërcenim filloi të zbatohet me bllokimin e importit të mallrave dhe prodhimeve bujqësore e deri te zhvillimin e një lufte hibride kundër Maqedonisë së Veriut, gjithmonë duke shfrytëzuar lidhjet kulturore dhe religjioze me shumicën etnike maqedonase në këtë shtet.
“Para integrimit në NATO Rusia u ka afruar integrim në Unionin Euroaziatik, si alternative e integrimeve euroatlantike. E njëjta gjë është thënë edhe në Bruksel nga ambasadori i Rusisë atje. Por, Rusia tenton të arrijë një ndikim të madh me një kosto të vogël. Kjo arrihet duke shfrytëzuar trashëgiminë e përbashkët kulturore me popujt sllav në Ballkan dhe duke keqpërdorur kishën ortodokse”, ka thënë Neziri.
Eksperti i politikës së sigurisë, Ilir Kulla, tha se roli i Rusisë në politikën globale nuk duhet nënçmuar pasi është një nga aktorët më të rëndësishëm të saj.
“Rusia është njëra nga fituesit e Luftës së dytë Botërore, është anëtar i Këshillit të Sigurimit të KB, është një shtet që shtrihet në dy kontinente, ka një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë botërore, apo në disa sektorë siç është energjia apo gazi, ushqimi…Rusia është një realitet shumë i rëndësishëm botëror, por që e ka bazuar fuqinë e vet te pan-sllavizmi dhe kisha ortodokse sllave. Në konceptin e tyre, atje ku ka kishë ortodokse sllave, atje është edhe Rusia. Së këndejmi, interesi për ndikim në Ballkan është tepër i madh”, ka thënë Kulla.
Comments are closed for this post.