Është shumë e gjatë lista e sukseseve të Majlinda Kelmendit, sportistes bindshëm më të mirë nga Kosova.
Majlinda bën karrierë në xhudo dhe përmes sukseseve në këtë sport luftarak ka arritur që të jetë imazhi më i mirë i Kosovës.
29-vjeçarja karrierën e nisi në Pejë. Trajneri i vetëm i saj, Driton Kuka, kishte filluar punën me të rinj dhe Majlinda vendosi të provonte sportin e xhudos, sa për të mos u ndarë nga motra dhe nga shoqet e saj. Ndonëse ka prekur kulmin, Majlinda vazhdon të insistojë se nuk ka pasur talent shumë të madh për këtë sport, që po rritet vazhdimisht.
Është puna e madhe që ka bërë e që e bën, ajo që e dallon Majlindën nga të tjerët. Puna ia ka mundësuar që të sigurojë shkëlqimin në Rio në vitin 2016, në ngjarjen më të madhe sportive, Lojërat Olimpike.
Megjithatë, Kosova do të mund të ishte pa yllin më të madh të saj sikur Majlinda të mos merrte pjesë në një garë për fëmijë në Sarajevë, pak kohë pasi nisi me xhudo. Nga Sarajeva u kthye me medalje, që ishte vendimtare për ta mbajtur në sport.
“Gara ime e parë ka qenë në vitin 2000. Pas dy-tri javë që ia kam filluar ushtrimeve, Toni na ka dërguar në gara, jo që ishim aq të mira si ekip i vajzave, por thjeshtë për të na mbajtur në sport. E mbaj mend që kam pasur dy lufta, të cilat i kam humbur, por prapë se prapë më kanë dhënë medaljen e bronztë. Po mendoj që prej asaj kohe xhudo më ka pëlqyer shumë. Hera e parë që kam shkuar jashtë vendit pa prindër dhe e kam shijuar në maksimum”, është shprehur ajo, raporton KOHA.
Majlinda Kelmendi më nuk u nda me xhudon dhe vazhdon t’ia përkushtojë shumicën e kohës këtij sporti. Stërvitet dy e tri herë në ditë, me seriozitetin më të madh. Për të nuk ka stërvitje të humbur. Nuk ka minuta të humbur gjatë seancave që drejtohen me përkushtim nga trajneri Driton Kuka.
Në kohën kur sportistët kosovarë nuk e kishin të drejtën të garonin në ngjarje ndërkombëtare, ekipi i xhudos gjente mënyra për të marrë pjesë në disa gara në vende të tjera. Në të gjitha dallohej Majlinda dhe për potencialin e saj më nuk kishte dyshime. Medaljet vinin vazhdimisht dhe sukseset shkonin duke u rritur.
Karriera e saj mori hov pas titullit të botës për juniore, në Paris, në vjeshtën e vitit 2009. Për Majlindën tashmë po fliste e gjithë bota e xhudos. Për kapacitetin e saj po kuptonin edhe të tjerët.
Janë edhe disa momente të tjera që shënojnë karrierën e xhudistes nga Peja, qytet në të cilin ajo ka nisur karrierën dhe në të cilin vazhdon të jetojë.
“Mendoj që moment kyç në karrierën time ka qenë kur jam bërë kampione e botës për juniore në vitin 2009. Thjeshtë kam treguar që kam shumë potencial dhe që duhet të merren me mua seriozisht. Jo që kam qenë shumë talent, por kam qenë punëtore e jashtëzakonshme. Tjetër moment kyç ka qenë koha kur shkova në Lojërat Olimpike në Londër për Shqipërinë dhe aty të gjithë e din që nuk kam pasur sukses. Jam mposhtur nga një garuese që ndoshta nuk ka qenë as në 100 më të mirat në botë. Pas garave kam pasur një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Isha në një lloj depresioni dhe nuk e dija se a dua të ushtrojë më apo jo. Thjeshtë jam zgjuar një ditë dhe kam thënë se nuk dua të mendoj asgjë, nuk dua të mendoj për askënd, thjeshtë dua të shijoj karrierën time dhe se nuk kam pse t’i jap llogari askujt, nuk kam përgjegjësi ndaj askujt, thjeshtë ndaj trajnerit tim. Prej asaj kohe karriera ime ka shkuar mirë e më mirë. Sigurisht që kulminacioni ka qenë në Lojërat Olimpike në Rio. Nuk ka qenë befasi që jam bërë kampione olimpike. Në momentin kur kam marrë pjesë në Rio veç isha dy herë kampione e botës. Janë këto dy-tri momente që i kisha veçuar gjatë karrierës”, ka thënë ajo.
Kulmi natyrisht mbetet medalja e artë olimpike në “Rio 2016”. Ajo ka dy tituj të botës dhe një medalje të bronztë botërore. Ka edhe katër të arta evropiane dhe një vend të tretë në Evropë.. Njëra prej këtyre të artave është fituar në Lojërat Evropiane të vitit 2019.
Në ngjarjet e tjera të xhudos, sportistja e kategorisë deri 52 kilogramë ka dhjetëra medalje, shumicën të arta.
Ajo po shikon para drejt sukseseve të reja. Ndonëse ka fituar krejt çka mund të fitohet, motivi nuk i mungon.
“Nuk është shumë lehtë të motivohesh. Kur shkon në një kamp ka ditë që nuk je në disponim. Vijnë gjenerata të reja dhe sulmojnë. Duan të tregojnë veten me një kampion olimpik. Në raste të caktuara nuk është lehtë, por në kampionate evropiane, botërore dhe sidomos në Lojëra Olimpike motivin e kam në kulm. Janë medalje që mbesin në histori. Grand Prix e Grand Slam kemi çdo javë, por në kampionate jam në top-formë. Emocionet dhe ndjenjat që i kam përjetuar në Lojërat Olimpike dhe pas tyre, nuk mund t’i përshkruaj dhe jo shumë njerëz mund t’i përjetojnë. Thjeshtë kam dëshirë t’i përjetojë prapë ato ndjenja e atë emocion”, ka thënë Kelmendi.
Për shkak të sukseseve të mëdha, në njërin nga parqet e qytetit të Pejës, jo shumë larg vendit ku Majlinda është zhvilluar në top-xhudiste botërore, është ngritur shtatorja e saj. E shoqëruar nga ekipi ynë televiziv ajo për herë të parë ka vizituar shtatoren, që nga përurimi i saj në shkurt të këtij viti.
“Ndihna jashtëzakonisht e privilegjuar, sa shumë ka xhudistë në botë, kanë vendosur mua të më bëjnë statujën. Jam shumë e lumtur edhe pse këtu te ne kam dëgjuar komente të ndryshme: ku i bëhet statuja njeriut të gjallë, pse bëhet statuja kështu, e ku ta di unë. Ndoshta do të duhej të shikohej nga një kënd tjetër, që Kosova ka medalje të artë olimpike, që është shtet i ri, tash 20 vjet. Ka shtete në botë, mbi 100 shtete që nuk kanë medalje të arta olimpike dhe nuk e di se pse dikujt i pengon që Majlinda Kelmendi ka statujë në Kosovë”, ka thënë ajo.
Ekipi i xhudos, si të gjithë të tjerët, është përballur me situatën e krijuar nga përhapja e koronavirusit. Ka qëndruar i bashkuar, duke mos i ndalur asnjëherë stërvitjet.
Për të gjitha sukseset, Majlinda ia lë meritat trajnerit Kuka.
“Pas secilit sukses që unë e kam pasur në jetë, unë gjithnjë them se Tonit nuk do të mund kurrë t’ia kthejë për ato që ka bërë për mua. Toni jeton për xhudon dhe ia ka dedikuar jetën këtij sporti”, ka thënë Kelmendi.
Vetë Kuka ndihet krenar për sukseset e Majlindës, karrierën e deritashme të saj. Ai ka ndërtuar një ekip të tërë rreth Majlindës. Edhe xhudistët e tjerë kanë fituar medalje nga kampionatet evropiane e botërore.
Medalje të tjera olimpike synohen në Tokio, në ngjarjen e shtyrë për vitin e ardhshëm.
“Rezultatet e Majlindës shumë moti i kanë tejkaluar agjendat e të arriturave sportive, për arsye se shteti i Kosovës ka qenë në një moment interesant edhe sa i përket imazhit pozitiv të shtetit dhe shtetësisë së Kosovës. Njëkohësisht edhe ajo politika sportive, do të thotë rezultatet kanë ardhur në moment të rëndësishëm për pranimin e Kosovës në Federatën Botërore të Xhudos fillimisht e më pas edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kjo ka rezultuar pikërisht për shkak të rezultateve individuale që i ka arritur Majlinda në radhë të parë”, ka thënë Kuka.
Kuka ka udhëhequr edhe një stërvitje të suksesshme të klubit Ippon në Pejë. Disiplina që i dallon xhudistët, vërehej qartë.
Është ajo disiplinë që Majlinda Kelmendin dhe xhudistët e tjerë nga Kosova i ka ngritur në nivelin më të lartë të mundshëm.
Comments are closed for this post.