Cristiano Ronaldo ka këmbëngulur nuk qëndron asnjë fshehtësi pas suksesit dhe aftësive të tij për ta ruajtur nivelin e lartë të paraqitjeve për kaq shumë vite me radhë.

34-vjeçari është duke e zhvilluar sezonin e tij të parë për Juventusin në Serie A, pas transferimit nga Real Madridi verën që lamë pas.

Superylli portugez i shënoi 450 gola në 438 paraqitje për Los Blancos në një periudhë fantastike nëntëvjeçare në kryeqytetin spanjoll, dhe tani synon ta arrijë suksesin e njëjtë edhe me klubin nga Torino.

Ronaldo tashmë i ka shënuar 21 gola për Juventusin deri tani këtë sezon, dhe thotë se dashuria për lojën e futbollit ia mundëson atij ta ruajë nivelin e lartë vit pas viti.

“Nuk kam fshehtësi, thjesht është përkushtimi dhe pasioni për këtë sport [që më bën të vazhdoj në nivelin e lartë]”, tha Ronaldo për Juventus TV.

“Më pëlqen të luaj futboll më shumë se çdo gjë tjetër. Jam kënaqur duke luajtur në Portugali, në Angli, në Spanjë dhe tani edhe në Itali. Për mua është kënaqësi të shënoj gola dhe ta ndihmoj ekipin, jam i lumtur”, shtoi ai.