Vendimi nuk ishte i lehtë, por ishte i pashmangshëm. Kështu deputeti Skender Rexhepi – Zejdi, e ka komentuar vendimin e tij për ta lëshuar grupin e deputetëve të Alternativës dhe të veprojë si deputet i pavarur.

“E kam pritur që kryesia e ngushtë e partisë të merrte vendim që do të përmirësonte unanimitetin aktual në parti, por me vendimet e fundit e thelluan atë unanimitet, gjë që e bëri të pashmangshëm vendimin tim për veprim të pavarur politik”, tha Rexhepi.

I pyetur nëse si deputet i pavarur do të bëhet pjesë e shumicës parlamentare, Rexhepi për “Fokus”, tha se Qeveria ka kapacitet për ta realizuar programin.

“Besoj se Qeveria ka ende kohë dhe kapacitet për ta realizuar programin me të cilin u bëmë pjesë e shumicës, dhe në pajtim me realizimin (ose mosrealizimin) do të jetë edhe veprimi im i ardhshëm politik”, tha Rexhepi.

Ndryshe, deputeti Rexhepi e ka informuar Kuvendin se do të veprojë si deputet i pavarur, ndërsa theksojmë që nuk mori pjesë në kongresin e Alternativës, në të cilin kryetar partie sërish u zgjodh Afrim Gashi.