Është regjistruar edhe viktima e 16 e aksidentit tragjik të 13 shkurtit në Llaskarcë. Bëhet fjalë për vajzën 19 vjeçare, e cila ishte në gjendje kritike që nga momenti kur ndodhi aksidenti, ndërsa për ta shpëtuar mjekët vendosën t’i amputojnë njërën këmbë, e cila nga dëmtimi i madh, i rrezikonte atëherë jetën.

Megjithatë, edhe pas amputimit të këmbës, 19-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë dhe sot ka ndërruar jetë.  Trupi i pajetë i 19-vjeçares sot është dërguar për autopsi, ndërsa familjes për varrim do t’i jepet gjatë ditës së nesërme, njofton Koha.

Të gjithë viktimat e aksidentit tragjik nga muaji i kaluar ishin nga territori i Gostivarit dhe shumica prej tyre ishin të rinj. Të gjithë viktimat punonin ose studionin në Shkup dhe natën e 13 shkurtit ktheheshin për në Gostivar në shtëpitë e tyre.

Ndryshe, hetimi mbi aksidentin tragjik përfundoi para disa ditësh, prej ku disa persona përfunduan në paraburgim.