Kërkesat e shteteve perëndimore për kuadër të mjekësisë nga vendi ynë, kanë bërë që të shtohet interesimi i nxënësve për tu regjistruar në mjekësinë e përgjithshme, me theks të veçantë, akusherinë. Pika e regjistrimit për mjekësinë e përgjithshme, ishte me radhë të gjata, në krahasim me degët tjera, ku prisnin nga dy apo tre persona.

Nxënësit nuk ngurrojnë për të pranuar se e zgjedhin drejtimin e mjekësisë së përgjithshme me qëllim që pas mbarimit të mund më lehtë të gjejnë punë në shtetet evropiane.

Drejtoresha e mjekësisë, Shkëndije Huseini, thotë se nga 13 paralelet e parapara për regjistrim, 6 prej tyre janë ndarë për profilin infermiere.

“Zakonisht për drejtimin motër medicinale kemi më të interesuar meqë edhe në drejtimet tjera nuk jemi pa nxënës. Kërkesa në perëndim është e madhe për kuadrin që kryejnë këtu, sidomos për motër medicinale, prandaj edhe shumica aludojnë të regjistrohen në këtë drejtim. Nga 13 paralelet në gjuhën shqipe, gjashtë janë të profilit motër medicinale”, deklaroi Shkëndije Huseini, drejtoreshë e SHMM “Nikolla Shtejn”.

Viteve të fundit, është evident rritja e numrit të nxënësve në drejtimet e mjekësisë, që regjistrohen nëpër kurse të gjuhës gjermane, me qëllim parapërgatitjen për gjetje më të lehtë të punës në shtetet perëndimore./Alsat/