Regjistrimi i popullatës, banesave dhe ekonomive familjare në Maqedoni ka nisur të marr jehonë dhe qytetarët kanë filluar të mobilizohen që të ju ndihmojnë mërgimtarëve në diasporë që të regjistrohen. Të njejtën e kemi bërë edhe ne si Telegrafi Maqedoni pasi kemi folur me Bekim Berishën nga Enti Shtetëror për Statistika në Maqedoni, që njëherit është edhe institucioni bartës i këtij procesi historik në Maqedoni.

Berisha thotë se punojnë pa ndaluar pasi këtë proces nuk e ndjejnë vetëm si punë por edhe si obligim moral e kombëtar. “Kemi angazhime të shumta. Regjistrimi po shkon mirë. Ka mundur edhe më mirë por jemi duke përmirësuar procesin” ka thënë Berisha.

“Enti shtetëror për statistika është i kënaqur. Ka persona të regjistruar por kemi pritur edhe më shumë që të regjistrohen” ka shtuar ai, duke thënë se deri dje (9 mars) ka pasur të regjistruar mbi 43 mijë qytetarë të Maqedonisë që jetojnë në diasporë që janë regjistruar në formë online.

Në pyetjen e Telegrafit për etninë e personave të regjistruar, Berisha ka thënë se nuk ka ashtu të dhëna pasi të njejtat janë të mbrojtura me ligj. Të njejtat, sipas tij, do të publikohen në fund të procesit të regjistrimit.

Pengesat teknike në fillim sipas Berishës nuk sjellin hije dyshimi mbi procesin e regjistrimit por të njejtat janë përmirësuar dhe ai ju bën thirrje mërgimtarëve që të ndjekin udhëzuesit se si të regjistrohen.

Berisha ka thënë se janë organizuar dhe sensibilizuar grupet e shqiptarëve nëpër diasporë për të bërë regjistrimin. “Ky mbi të gjitha është proces kombëtar, posaçërisht për shqiptarët”.

“Drejtori është maqedon e zëvendësdrejtori është shqiptar. Për tu publikuar rezultatet do të duhet të nënshkruhen drejtori dhe zëvendësdrejtori, dhe nuk besoj se as njëri e as tjetri që do të nënshkruajnë diçka për hatër të tjetrit dhe në dëm të vetes” u përgjigj Berisha në lidhje pyetjen për dyshimet rreth përqindjeve në fund të procesit të regjistrimit.

Fushata do të jetë më aktive dhe agresive, thotë Berisha, metodolog në ISHS.

Sipas Berishës, qytetarët e Maqedonisë që janë në diasporë mund t’i regjistrojë edhe familja e tyre që gjendet në vendlindje, kur të fillojë procesi i regjistrimit brenda vendit.

Nuk do të ngelet asnjë person pa regjistruar, siguron ai.

Procesi i regjistrimit në Maqedoni nga 1 prilli do të bëhet për njerëzit, ekonominë familjare dhe banesat do të kenë vetëm karakter informues për shtetin dhe kjo nuk do të ndikojë në asnjë proces tjetër që lidhet me ndonjë institucion tjetër.

Sipas Berishës regjistruesit që do të shkojnë nëpër shtëpi për të regjistruar do të shkojnë sipas vendbanimit. “Kur të fillojë regjistrimi, një regjistrues do të shkojë në një shtëpi. Nëse ajo shtëpi është në një vendbanim me shqiptarë, atëherë regjistruesi do të jetë shqiptar. Qytetarët mund të kërkojë që regjistuesi të flet në gjuhën e tij dhe kjo është shumë e lehtë, ESHS ia mundëson”