Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, sipas analistëve është shndërruar në një çështje politike mes grupimeve më të mëdha politike, të pro-malazezëve dhe të atyre pro-serbe.
Analistët theksojnë se regjistrimi i popullsisë, që pritet të mbahet prej 30 nëntor deri në 15 dhjetor, mund të përmbysë strukturën kombëtare të popullsisë në shtetin e vogël ballkanik, Malin e Zi.
Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, e ka tejkaluar rëndësinë statistikore dhe është shndërruar në një çështje politike, thonë analistët.
Kjo, sipas tyre është pasojë e fërkimeve të vazhdueshme rreth strukturës kombëtare të popullsisë.
Analisti Hajrullah Hajdari, vë në dukje se në vendet evropiane shënimet për përkatësinë fetare dhe kombëtare nuk kërkohet gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.
“Regjistrimi i popullsisë apo cenzusi në vendet e zhvilluara si në Evropë apo në Amerikë, shënimet mbi përkatësinë fetare dhe kombëtare nuk kërkohen fare. Ndërkaq në Mal të Zi kjo është e trashëguar. Që nga viti 1945 deri në vitin 2011, përkatësia fetare dhe kombëtare kanë qenë elementet e regjistrimit”, tha zoti Hajdari.
Ndërkaq, analisti Nail Draga vlerëson se regjistrimi që do të mbahet nga 30 nëntori deri më 15 dhjetor ka marrë përmasat e një polarizimi të skajshëm.
“Regjistrimi i popullsisë ka marrë përmasat e polarizimit politik dhe një dukuri e tillë nuk është befasi duke marrë parasysh se kemi ndryshimin e pushtetit në Mal të Zi. Rezultatet e publikuara nga Lufta e Dytë Botërore e deri më tash popullsia me përkatësi malazeze ka qenë dominuese, por të gjitha gjasat janë që në këtë regjistrim të ndodhin ndryshimet sa i përket strukturës kombëtare të popullsisë”, tha zoti Draga.
Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë se dukuritë e shfaqura në kohë të fundit në shoqërinë malazeze, mund të ndikojnë në rezultatet e regjistrimit të popullsisë.
Zoti Draga vlerëson se “nuk është befasi që në këtë regjistrim popullata malazeze të bie në një përqindje të konsiderueshme, ndërsa e kundërta do të jetë me qytetarët e kombësisë serbe”.
Edhe analisti Hajdari mendon se “në këto rrethana politike kemi një garë mes dy komuniteteve që dominojnë në Mal të Zi”.
Sipas analistëve kjo dukuri mund të ndikojë negativisht në procesin e anëtarësimit të Mali të Zi në BE, kur dihet se edhe në raportin e Komisionit Evropian u theksua se regjistrimi i popullsisë dhe banesave kërkon menaxhim të kujdesshëm nga autoritetet, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhet me etninë, fenë dhe gjuhën.
Comments are closed for this post.