Pas tre viteve radhazi të triumfit në Ligën e Kampionëve, Real Madridi është duke kaluar nëpër një periudhë mes shumë ndryshimesh në stafin e lojtarëve, trajnerëve e drejtuesve. Kjo gjë ka shkaktuar mjaft shumë probleme te gjiganti spanjoll.

Neymari e kryeson listën e lojtarëve të kërkuar nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez. Në këtë listë bëjnë pjesë edhe lojtarë të tjerë të famshëm, si: Eden Hazard, Harry Kane dhe Exequiel Palacios, transmeton Gazeta Express.

Nëse Perez arrin ta transferojë njërin prej këtyre lojtarëve, apo edhe dikë tjetër, atëherë lista e lojtarëve të cilën kanë kontratë me Real Madridin do të zgjerohet edhe më shumë. Pas transferimit të Brahim Diazit nga Manchester City, tani madrilenët i kanë 36 lojtarë në skuadër.

Nga 26 lojtarët të cilët janë pjesë e ekipit të parë të trajnerit Santiago Solari, janë edhe dhjetë futbollistë të tjerë të cilët janë ose të huazuar, ose afër transferimit në ndonjë klub tjetër. Por, kontrata e asnjërit prej tyre nuk përfundon në vitin 2019.

Ndërsa, në vitin 2020 skadojnë kontratat e disa futbollistëve, ndër të cilët më të rëndësishëm vlerësohen Luka Modric dhe Sergio Ramos. Për kroatin spekulohet se ai nuk dëshiron ta rinovojë kontratën pasi që do të largohet nga klubi. Lojtarët e tjerë të cilëve u përfundon kontrata më 2020 janë: Kiko Casilla, Nacho dhe Sergio Reguilon.

Portieri nga Kosta Rika, Keylor Navas, sapo e ka rinovuar kontratën e tij me klubin, deri në vitin 2021, përkundër spekulimeve se ai mund të largohet. Tani, Real Madridi duhet të vendosë se cili do të jetë portieri i parë në skuadër, Navas ose Thibaut Courtois.

Nga huazimet mund të kthehen së shpejti Abdriy Lunin nga Leganes, Theo nga Real Sociedadi, James Rdoriguez nga Bayern Munichu, Mateo Kovacic nga Chelsea, Martin Odeegard nga Vitesse dhe Achraf nga Borussia Dortmundi. Ky i fundit do të jetë i huazuar deri në qershor të vitit 2020, ndërsa të tjerët janë të huazuar vetëm deri në fund të këtij sezoni.

Faza e sulmit mund të jetë reparti me më së shumti ndryshime gjatë afateve të ardhshme kalimtare, pasi që Real Madridi nuk ka arritur të jetë mjaftueshëm mbresëlënës në sulm, duke shënuar një numër shumë të ulët të golave.

Real Madridit iu largua gjatë verës së kaluar Cristiano Ronaldo, por klubi nuk investoi në ndonjë lojtar që mund ta zëvendësonte portugezin pasi që i besoi Gareth Bale dhe Karim Benzemas. Mirëpo, tani pritet që gjatë verës, Perez të dalë në kërkim për një sulmues të klasit botëror.

E vetmja gjë e qartë është se zyrat në Santiago Bernabeu do të jenë të mbushura me njerëz për shkak të numrit të madh të takimeve që do të zhvillohen gjatë muajve në vazhdim. Aty do të vendoset për të ardhmet e lojtarëve aktual si dhe transferimin e lojtarëve të rinj.