Në emisionin Studio e Hapur, avokati Naser Raufi e ka cilësuar si qesharak këtë rast gjyqësor. Sipas tij, ky është një rast i njëjtë sikur Sopoti. “Në këtë rast edhe në rastin e Sopotit ishte një punë e shërbimeve sekrete”, ka thënë Raufi. Ai ka përmendur se edhe në këtë rast është përmendur një telefon si dëshmi kryesore, edhe pse nuk ka asnjë provë inkriminuese. Duhet që gjendet njerëzit që janë përfshirë në këtë rast, ku edhe sipas dëshmive personat e akuzuar janë torturuar. Edhe në këtë rast duhet që të kërkohet përsëritja e gjykimit.

Agim Beluli, është njëri prej të burgosurve në këtë rast që ndodhi në vitin 2003. Asokohe u organizua një proces gjyqësor ndërsa disa persona u akuzuan se kishin organizuar një sulm për të hedhur në ajër hekurudhën dhe për të dëmtuar trenin ndërkombëtar. “Ata që kanë dashur të bëjnë diçka të tillë kanë bërë gabim duke e kualifikuar si vepër e organizuar edhe pse ne nuk njiheshim njëri me tjetrin”, ka deklaruar Beluli. Ai ka shpjeguar se akti gjyqësor u inskenua një rast tjetër i cili ishte bërë i zakonshëm asokohe, fajësimi i shqiptarëve për vepra terroriste. Ai tha se kanë vuajtur shumë dhe se nuk do të ndalen derisa të deklarohen të pafajshëm, siç ndodhi edhe me rastin e Sopotit. Beluli tha se qeveria aktuale që po njohet për reforma duhet ta zbardhë këtë rast. “Nuk do të ishte mirë që të bashkoheshim me vendet evropiane pa e zgjidhur këtë rast”, tha Beluli.