Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë rekomandime para muajit të Ramazanit dhe festës së Pashkëve.

“Komunitetet në të gjithë rajonin evropian po vlerësojnë nëse do të organizojnë festime fetare apo shoqërore gjatë kësaj kohe. Në vendet që përjetojnë transmetim të gjerë të virusit, takimet virtuale, shtyrja ose zvogëlimi i mbledhjeve të tilla duhet të konsiderohen seriozisht”, thonë nga OBSH.

Nga kjo organizatë shtojnë se në rast se mbahen organizime shoqërore gjatë kësaj periudhe, duhet të respektohen protokolle të posaçme.

“Pavarësisht nga vendndodhja, nëse është e mundur, çdo shërbim fetar duhet të mbahet jashtë, derisa duhe të jetë e kufizuar në pjesëmarrje dhe kohëzgjatje, me distancë fizike, ventilim, higjienë të duarve dhe përdorimin e maskës. Preferohet që njerëzit të festojnë me personat me të cilët jetojnë dhe të mos takohen me perona të tjerë”, thuhet në rekomandimin e OBSH-së.

“Nëse organizoni një tubim ose ngjarje të vogël, ndiqni rekomandimet lokale për numrin maksimal të pjesëmarrësve dhe merrni masa paraprake për të parandaluar përhapjen e COVID-19 midis të ftuarve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e OBSH-së.

Sa i përket udhëtimeve gjatë kësaj periudhe, OBSH fton që të ndiqen rekomandimet e autoriteteve dhe të shmangen udhëtimet e panevojshme.

“Disa vende kërkojnë test negativ për COVID-19 ose informacione të tjera mbi statusin shëndetësor para se të lejojnë hyrjen në vend, ndërsa disa kërkojnë karantinë. OBSH inkurajon të gjithë që të ndjekin në mënyrë rigoroze udhëzimet nga autoritetet kombëtare kur udhëtojnë si dhe të shmangin çdo udhëtim të panevojshëm”, thuhet në njoftim.