Deputeti socialist, Damian Gjiknuri mendon se Presidenti i Republikës mund të kishte thirrur një tryezë dialogu, në vend që të bënte deklarata prej “aktori politik”, siç e cilësoi ai.

“Nuk e di kë ka dëgjuar zoti Meta apo e ka dëgjuar mirë historinë e Allendes, por unë mendoj që ka një paqartësi. Më shumë është veprimi i një aktori politik që mund të ishte një negociator për krizën. Presidenti mund të organizonte edhe ndonjë tryezë me të gjitha partitë, t’i dëgjonte, por dalja me deklarata të tilla që konfuzojnë më shumë nxjerrin në pah rolin e një aktori politik, i cili më shumë ka pasur një rol, por ka ardhur koha që të hyjë dhe të marrë pjesë në të. Mbase zoti Meta e shikon si oportunitet politik tek vakumi që do krijojë opozita shumë shpejt për ta marrë këtë rol në të ardhmen.

Që të ketë ndryshime serioze në mbarëvajtjen e një qeverie, duhet të ketë situata të tilla që të krijojë zemërim popullor. Dhe historia e Shqipërisë e ka treguar. Në këtë rast kemi të bëjmë me misionin e një grupi politikanësh të etur për pushtet, quaje si të duash, por që janë brenda konturit të një partie politike dhe tërheqin mbrapa vetes mbështetësit e tyre, të cilët do i tërheqin në atë pikë sa t’i përballojnë në mënyrë të vazhdueshme protestat”, deklaroi ish ministri në Abc News.

Por sa mundësi ka Ilir Meta të jap dorëheqjen? Pak janë ata që e besojnë, por gazetari Carlo Bollino thotë se kjo nuk e shqetëson kryeministrin. Sipas tij Edi Rama mund të zgjedhë një emër opozitar si President.

“Junta është prokuroria. Jo rastësisht e ka përmendur paralajmërimin që kanë thënë ndërkombëtarë para dy vitesh që situata mund të vijë në gjendjen aktuale. Paralajmërimi për dorëheqje është kërcënim që shqetëson ndërkombëtarët, por jo shqiptarët pasi kuvendi ka 94 deputetë. Qeveria mund të zgjedhë President të ri totalisht legjitim. Mund të zgjidhet Jozefina Topalli nga opozita si presidente për 24 orë, pasi Rama po e mendon si emër”, tha Bollino në një studio televizive./Opinion.al