Qeveria është duke i shqyrtuar të gjitha mekanizmat juridike për t’i sanksionuar ndërmarrjet që tentuan të keqpërdorin ndihmën financiare të shtetit të dedikuar për punëtorët. Zëvendëskryeministrja e Ekonomisë Milla Carovska theksoi se ndëshkime do të ketë dhe opinioni do të informohet për këtë. Edhe një herë i porositi pronarët që i kanë ndalur paratë shtetërore, menjëherë t’i paguajnë në llogaritë e të punësuarve të tyre.

“Ky është një lëshim i madh që është bërë dhe gjithsesi do të ndodhë sanksionimi i kompanive. Në këtë moment Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë është duke i shqyrtuar mundësitë juridike, janë duke u ngritur të gjitha elementet që janë të mundshme”- deklaroi Milla Carovska, Zëvendëskryeministre E Ekonomisë.

Për këtë mega skandal që tashmë disa ditë shkakton reagime të ashpra në opinion reagoi edhe VMRO-DPMNE-ja. Nga kjo parti dyshojnë se lista e publikuar e ndërmarrjeve që e kanë keqpërdorur masën qeveritare nuk është e kompletuar, por se mungojnë kompanitë që janë të afërta me LSDM-në.

Nga VMRO-DPMNE-ja shprehen, që dyshimet të jenë më të mëdha shtrohet pyetja: pse autoritetet prezantuan shuma të ndryshme, gjegjësisht një herë thanë një milion euro, e që më pas kjo shumë të jetë dyfish më e vogël ose gjysmë milion euro?

“A fshehë pushteti i Zaevit ndërmarrjet që kanë marrë ndihmë, ndërsa nuk i kanë paguar punëtorët?- thanë nga VMRO-DPMNE.

Mbrëmë Qeveria i publikoi të gjitha ndërmarrjet që morën ndihmë shtetërore për pagesën e pagës minimale për të punësuarit në lartësi prej 14 500 denarë. Fillimisht DAP-i publikoi se bëhet fjalë për 708 kompani që u mbetën borxh të punësuarve të tyre për muajt prill dhe maj ndonëse morën mjete për atë nga arka e shtetit. Por, me azhurnimin e listës Qeveria publikoi vetëm rreth 200 të tilla. Në mesin e tyre u has edhe televizioni TV21, por prej atje përgënjeshtruar se të punësuarve nuk u janë paguar pagat, por se është vonuar me pagesën e kontributeve. Më pas, lista ishte azhurnuar dhe ky televizion ishte larguar nga lista. Ndryshe në pjesën më të madhe të listës janë ndërmarrje të tregtisë, ndërtimtarisë, sektorit të transportit, përgatitjes së ushqimit dhe bizneset tjera më të vogla. Mbetet e hapur çështja nëse ndërmarrje që u zhdukën nga listat ndërkohë i kanë paguar të punësuarit dhe kanë shpëtuar nga shpallja publike e ndërmarrjes së tyre. Edhe 3750 ndërmarrje në mënyrë të paligjshme në periudhën e njëjtë ua kanë shkurtuar pagat minimale të punësuarve të tyre ndonëse kjo shumë ka qenë e siguruar nga buxheti i shtetit. Sindikalistët menjëherë dolën me akuza më të ashpra dhe për pronarët e pandërgjegjshëm kërkojnë përgjegjësi penale. Dënimi erdhi edhe nga shoqatat e punëdhënësve dhe odat ekonomike.