Deklarata e liderit të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski se fondet nga Banka Botërore për komunat janë të bllokuara, ka nxitur Qeverinë të bëj një përgënjeshtrim të asaj deklarate.

Nga Qeveria sqaruan për mediat se as mjetet nuk janë të bllokuara dhe as komunat nuk janë bllokuar.

“Mjetet nga kredia përmes Bankës Botërore as nuk janë të bllokuara, as komunat nuk janë të bllokuara. Qeveria me politikën e saj të deritanishme ka dëshmuar se kujdeset për qytetarët, pavarësisht se cili opsion politik i qeveris komunat. Ky projekt përmirëson ndjeshëm rrjetin rrugor lokal dhe jetesën urbane, dhe në këtë mënyrë përmirëson kushtet e jetesës së të gjithë qytetarëve. Ky është një projekt që Qeveria e ka nisur dhe po e zbaton për të ngritur cilësinë e jetës dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik lokal të komunave”, thanë nga Qeveria.

Deri më tani janë publikuar 3 thirrje publike për rindërtimin e rreth 80 rrugëve.

Tenderi i parë dhe i dytë mbuluan 62 rrugë në mbi 30 komuna, ndërsa tenderi i tretë mbulon rindërtimin e 17 rrugëve në 10 komuna.

“Kredia për secilën komunë parashikon mjete ekskluzivisht të destinuara për rindërtimin e rrjetit rrugor lokal, dhe komunat kanë detyrimin e vetëm të dorëzojnë dokumentacionin përkatës të projektit për rrugët apo rrugët që kanë vendosur të jenë prioritare”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.