Prokurori publik në PTHP Shkup, Sasho Rajçev në pres-konferencë do të prezantojë informata për rrjedhën e procedurës në lidhje me aksidentin tragjik në Llaskarcë.

Në aksidentin tragjik i cili ndodhi më 13 shkurt këtë vit, rreth orës 17 00 në hyrje të fshatit Llaskarcë, humbën jetën 15 persona.

Autobusi i kompanisë “DURMO TURS” ishte nisur në relacionin Shkup-Gostivar me gjithsej 51 udhëtarë, të gjithë nga Gostivari. Autobusi është aksidentuar në autostradën Tetovë-Shkup dhe si rezultat ka përfunduar në humnerë pasi që i njejti pasi kishte humbur kontrollin i kishte kaluar edhe rethojat e sigurisë së autostradës.

Të lënduarve menjëherë u kanë ardhur në ndihmë fshatarët nga Llaskarca dhe rrethina. Për shpëtimin e të lënduarve ishin mobilizuar të gjithë furgonat e autoambulancave të spitaleve shtetërore por edhe spitaleve private.

Qeveria kishte shpallur ditë zie për dy ditë më 14 dhe 15 shkurt. Më 14 shkurt në Gostivar është mbajtur seancë komemorative për ata që humbën jetën, ku prezent ishte edhe Presidenti Gjorge Ivanov dhe Kryeministri Zoran Zaev, gjithashtu tre ditë zie ishte shpallur për nder të të ndjerëve edhe në Komunën e Gostivarit.