Javën e ardhshme do të ketë takim të ri midis grupeve të punës të qeverisë dhe opozitës për të rrafshuar dallimet në lidhje me ligjin për prokurorinë. Pas pauzës, për shkak të pushimeve verore, përfaqësuesit e LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së do të ulen përsëri në tryezë, por tani në një atmosferë politike edhe më të ashpër sesa ishte njëzet ditë më parë. Afera “Reket” dhe roli i Prokurores speciale, Katica Janeva, edhe më shumë e komplikuan procesin, prandaj është e qartë se tani edhe tërheqja e saj nga ligji i ri dhe nga posti i saj në Prokurorinë republikane publike, pas dorëheqjes në PSP, do të jetë manovër i pamjaftueshëm për të arritur marrëveshje. Partia në pushtet thotë se kohëve të fundit nuk pasur lëvizje në qëndrime, por janë të gatshëm të negociojnë rreth të gjitha vërejtjeve të opozitës për tekstin e propozuar të ligjit, përfshirë këtu edhe të ardhmen e Janevës, transmeton Nezavisen.mk.

“Do të takohemi me kolegët nga VMRO-DPMNE dhe do të diskutojmë nëse do të mund t’i takojmë qëndrimet dhe ku. Ligji i ri për prokurorinë, i cili edhe e përcakton të ardhmen e PSP-së, mbase nuk është vendimtar për të marrë datën për negociata me BE-në që shpresojmë se do të ndodhë në tetor, por është jashtëzakonisht i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Këto janë mesazhet që çdo ditë i pranojmë nga partnerët tanë në bashkësinë ndërkombëtare, besojmë se këtë e dinë edhe në VMRO-DPMNE dhe do t’ia dalim që ligjin ta çojmë përpara” thonë nga LSDM-ja.

Por, partia kryesore e opozitës thotë se ngjarjet e fundit dhe incizimet që dolën me zërin e Katica Janevës, në bisedat me Orce Kamçevin, kanë konfirmuar se ligji ashtu siç e propozon nga qeveria nuk guxon të kalojë.
“Imagjinoni, një nga zgjidhjet e ligjit të LSDM-së propozohet që Janeva të transferohet në prokurorit shtetërore publike. Sikur të ishim vetëm pak shtet ligjor, ajo moti do të ishte në paraburgim. Dhe jo vetëm ajo, por edhe kolegët e saj në PSP. Prandaj kemi thënë që asnjë nga prokurorët dhe personeli tjetër i punësuar në PSP nuk mund me ligj të transferohet automatikisht në Prokurorinë e re për ndjekje të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar. Atje të gjithë janë farefis mes veti, të gjithë janë anëtar i LSDM-së. Le të aplikojnë për konkurs, e ta shohim pastaj vallë do t’i zgjedhin”, janë të prerë në VMRO-DPMNE.

A do të ketë shumicë prej dy të tretave

Propozimi i opozitës është që prokurorët e PSP-së të kthehen në prokuroritë prej nga janë transferuar në PSP, të gjitha çështjet e PSP-së të ndërmerren nga prokuroria shtetërore dhe të vendoset pavarësi financiare jo vetëm për prokurorinë e re, por për tërë prokurorinë.

LSDM beson se çelësi fshihet në faktin se VMRO-DPMNE dëshiron që PSP të mbetet pa çështjet, të cilat do të transferoheshin në prokurorinë e shtetit, për t’iu dhënë fund të gjitha çështjeve kundër zyrtarëve të tyre të mëparshëm dhe aktualë. Supozohet se do të kalojë shumë kohë derisa çështjet të ripërcaktohen te prokurorët e rinj, pastaj ata duhet t’i studiojnë që pastaj të fillojë procesi …

Të gjendet ilaç për PSP-në, madje edhe pa Katica Janevën, është mesazhi që vjen nga Brukseli dhe Uashingtoni. Ambasadorët e vendeve më me ndikim në botë, tek ne, dërgojnë mesazhe identike e mesazh të ngjashëm dërgoi edhe presidenti Stevo Pendarovski.

“Një prokuror nuk mund të vërë në dyshim punën e tërë PSP-së. Jo të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët janë të korruptuar. Shumica janë profesionistë të virtytshëm me besueshmëri”, tha Pendarovski.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, e ka caktuar seancën parlamentare më 27 gusht dhe atëherë do të diskutohet për ligjin e propozuar nga qeveria. Do të jetë takimi i parë parlamentar pas pushimit një mujor të deputetëve. Xhaferi shprehu shpresë se deri atëherë do të ketë marrëveshje midis qeverisë dhe opozitës. Kryeministri Zoran Zaev njoftoi që nëse nuk arrihet një kompromis deri në fillim të shtatorit, ai do të aplikojë masa të tjera jopopullore, pa përmendur çfarë.

“Ai mendon se me ryshfet dhe presion, siç bëri për emrin, do të krijohet shumicë prej dy të tretave. Tani nuk është në gjendje të diktojë dhe as të frikësojë. Nuk do të ketë 80 deputetë pa i pranuar vërejtjet tona”, është e sigurt opozita.

Sipas tekstit të ligjit të propozuar, PSP do të shkrihet në Prokurorisë publike aktuale përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do të themelohet PP e re për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë me kompetenca në të gjithë vendin dhe garanca për veprime të pavarura. Të gjithë prokurorët e PSP-së do të vazhdojnë të punojnë në prokurorinë e re. Mandati i tyre skadon më 15 shtator dhe ata kanë të drejtë të rizgjidhen nëse dëshirojnë të kandidojnë. Kreu i ri i prokurorisë duhet të jetë Vilma Ruskovska e cila është e papranueshme për opozitën. Sipas ligjit, shefi i ri i prokurorisë e cakton buxhetin, ndërsa qeveria është e detyruar ta pranojë atë.

Aktualisht kanë ngecur edhe bisedat për regjistrimin e popullsisë dhe modelin zgjedhor.