Prokuroria publike e promovoi internet-faqen e parë, www.jorm.gov.mk, në të cilën mund të ndiqen informata nga Prokuroria publike e RMV, nga prokuroritë e larta publike, nga Prokuroria publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe nga prokuroritë themelore publike.

Prokurori publike i shtetit Lubomir Joveski ka theksuar se me internet-faqen e re rritet transparenca në punën e prokurorisë që është e rëndësishme për besim më të madh të qytetarëve në këtë institucion.

“Shfrytëzuesit e internet-faqes do të mund të gjejnë dokumente dhe akte juridike nga sfera penale dhe të dhëna tjera relevante për veprimtarinë tonë. Obligim i ynë ndaj qytetarëve për dhënie të informatave të sakta, të verifikuara dhe relevante kontribuon jo vetëm për informim, por edhe ngushtohet hapësira për spekulime dhe lajme të rreme”, ka thënë Joveski.

Për herë të parë prokuroria i “zbuloi” prokurorët, përkatësisht publiku mund t’i sheh se cilët prokurorë dhe në cilën prokurori janë të angazhuar. Gjithsesi, aty mungojnë fotografitë dhe biografitë e tyre. Mirëpo, nga prokuroria theksojnë që sajti në vazhdimësi do të plotësohet me informata të reja.

Ambasadori Klemens Koja, shef i misionit të OSBE-së në Shkup, ka theksuar që internet-faqja është pjesë e përpjekjeve për fuqizim të kapaciteteve të prokurorëve për marrëdhënie me publikun.

“Hapja dhe transparenca janë shtyllat e demokracisë dhe ato janë të nevojshme që qytetarët të kenë besim në sigurinë juridike. Sundimi i të drejtës nuk stimulon vetëm realizim të drejtësisë, por edhe respektim të drejtësisë nga ata që e ushtrojnë. Prandaj është me rëndësi të komunikoni me publikun që drejtësia të mund të jetë e dukshme”, ka thënë ambasadori Koja.

Në promovimin e sotëm të internet-faqes së re, prokurori publik i shtetit Joveski, i dorëzoi ambasadorit Koja mirënjohje për bashkëpunim.