Gjatë ditës së djeshme në Institutin e Shëndetit Publik të Maqedonisë së Veriut është dorëzuar mostra për testimin e një rasti të dyshuar me linë e majmunit.

Pacienti është nga Kërçova dhe para disa ditësh i janë shfaqur puçra në trup, që është një nga simptomat e lisë së majmunëve.

Komisioni i Sëmundjeve Infektive, i cili mbajti mbledhjen e djeshme pasdite, rekomandoi vendosjen e izolimit në kushte shtëpie apo spitalore për të gjitha rastet e dyshuara dhe të konfirmuara dhe monitorimin e përditshëm epidemiologjik të personave që kanë pasur kontakt me rastet e konfirmuara.

“Komisioni i Sëmundjeve Infektive rekomandoi vendosjen e masave izoluese/karantinë dhe izolimin në kushte shtëpie apo spitalore të rasteve të dyshuara të lisë së majmunëve deri në testimin e tyre, izolimin e rasteve të konfirmuara në kushte shtëpie apo spitalore deri në shërimin e sëmundjes. Monitorim ditor epidemiologjik i kontakteve të rasteve të konfirmuara të lisë së majmunëve gjatë periudhës prej 21 ditësh”, njofton KSI.

Komisioni gjithashtu rikonfirmoi rekomandimin për Ministrinë e Shëndetësisë për marrjen e të gjitha masave të nevojshme parandaluese.

Kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Aleksandar Petliçkovski, ka bërë të ditur se pacienti nga Kërçova është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka nevojë për hospitalizim.

Në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, siç informoi dje Ministria e Shëndetësisë, nuk ka asnjë pacient të shtruar që dyshohet se ka lisë së majmunit.

Petliçkovski nuk pret që kjo sëmundje të bëhet problem si koronavirusi.

Sipas tij, në vend ka analiza për linë e majmunëve dhe tashmë Agjencia Evropiane e Barnave ka një vaksinë të miratuar, por vaksinimi masiv nuk është planifikuar.

“Zgjerimi nuk po shkon aq shpejt sa kishim frikë në fillim. Transmetimi ndodh në grupe të caktuara. Vaksinat rekomandohen në mbarë botën për grupet e rrezikut dhe ata me kontakte rreziku. Imunizimi masiv nuk parashikohet askund për momentin”, tha kryetari i Komisionit të Sëmundjeve Infektive.

Gjithsej 31,800 raste të lisë së majmunëve janë regjistruar në mbarë botën deri më 9 gusht.

Në Evropë, numri më i madh i rasteve është në Spanjë – 5,162, Gjermani – 2,982 dhe Britania e Madhe – 2,914.