Protestat kundër propozim-ligjit që parasheh zëvendësimin e librave të shtypur me libra digjitalë, do të nisin të shtunën në Shkup nga prindërit e nxënësve, të cilët janë pjesë e një grupi në Facebook që ka mbi 70 mijë anëtarë.

“Libra dhe mësim duhet të ketë”, ishte motoja e një tubimi që u mbajt të martën para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila nuk pranoi kërkesën e prindërve për tërheqjen e propozimit.

Protesta janë paralajmëruar se do të mbahen në shumë qytetet, ndërsa prindërit po ashtu paralajmërojnë edhe një nismë për referendum kundër ligjit për zëvendësimin e teksteve të shtypura me libra elektronikë.

“Ne u përpoqëm të gjejmë zgjidhje për ndryshime në ligj, në mënyrë që të ketë reforma të përshtatura për nxënësit, por autoritetet u treguan të shurdhra ndaj kërkesave tona. Ata duan të imponojnë reforma përmes demagogjisë që nuk janë në interesin e fëmijëve tanë. Ne po bëjmë edhe një iniciativë për të ndaluar këtë ligj me protesta dhe pastaj një iniciativë tjetër për referendum kundër ligjit të propozuar”, ka deklaruar Dragana Spasevska nga nisma kundër miratimit të Ligjit për tekstet mësimore.

Këtë ligj, prindërit po e konsiderojnë të dëmshëm për fëmijët, pasi sipas tyre, libri i shtypur nuk mund të zëvendësohet me asnjë formë tjetër të të mësuarit. Ata thanë se në kohën kur fëmijët gjithë ditën e kalojnë para pajisjeve elektronike për mësim online, do të ishte e palogjikshme që edhe mësimet t’i ndjekin nga libra elektronikë, pasi kjo do të kishte pasoja të rënda mbi shëndetin e tyre.

“Ne nuk guxojmë dhe nuk do të lejojmë që fëmijët tanë të jenë objekt eksperimenti. Ky ligj do të ketë pasoja në zhvillimin psiko-fizik, sociologjik e emocional të fëmijëve tanë. Fëmijët janë bota jonë. Fëmijët tanë janë e ardhmja jonë. Ne do të vendosim se çfarë bote dhe çfarë të ardhme do t’iu ofrojnë atyre. Ne bartin përgjegjësinë për fëmijët tanë, për nipërit e stërnipat tanë. Vendimet që ne marrim janë në interes vetëm të fëmijëve tanë dhe të askujt tjetër”, ka deklaruar Dragana Spasevska nga Këshilli i Prindërve, duke bërë të ditur se nuk do të ketë bojkot të mësimit, meqë nxënësit kanë nevojë të periudhën e mbetur ta shfrytëzojnë për notim në lëndët përkatëse.

Kundër ndryshimeve të propozuara është deklaruar edhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), e cila gjithashtu ka shprehur pakënaqësinë, për siç thotë, injorimin që i ka bërë Ministria e Arsimit duke mos e ftuar në asnjë debat lidhur me reformën e propozuar, që sipas LASH-it, si e tillë, nuk zbatohet askund nëbotë.

“Askund në botë nuk mësohet nga librat digjitalë, askund, as në shtetet më të zhvilluara. Unë kam kërkuar debat televiziv që t’i shtëllojmë këto probleme e jo të thotë se kemi biseduar me shoqatat. Me cilat shoqata? Kush janë ato shoqata? Unë askund nuk jam ftuar. Unë nuk e di se më kë konsultohet ajo”, ka deklaruar Samet Jahiu nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë.

Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut ka hedhur poshtë reagimet dhe kritikat duke theksuar reformat janë të nevojshme për ngritjen e cilësisë në arsim.

“Plani për ndryshimet në lidhje me mësimdhënien në shkollat fillore, përkatësisht zhvillimin e konceptit të ri për arsimin fillor, dhe Ligjit të ri për tekstet mësimore dhe didaktike, parashihen me programin e punës së qeverisë në mandatin e mëparshëm dhe atë aktual, si dhe strategjinë për arsim 2018-2025, dhe bazohet në rezultatet e analizave specifike të cilësisë së sistemit arsimor kombëtar të bëra nga institucione të besueshme ndërkombëtare”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila nevojën për reforma thotë se e bazon edhe arritjet e dobëta të nxënësve në testet ndërkombëtare si dhe në kërkesat e vazhdueshme për reforma të thella.

Propozim-ligji ndodhet në procedure parlamentare, ndërsa kundër janë deklaruar edhe partitë opozitare, të cilat kanë paralajmëruar amendamente për ta kundërshtuar miratimin e tij./REL/