Drejtoria e Policisë Financiare ka bërë kallëzim penal ndaj ish-ministrit të Kulturës Hysni Ismaili për punë të pakujdesshme në shërbim, gjatë së cilës ka dëmtuar buxhetin e shtetit për më shumë se gjysmë milioni euro. Policia financiare ka dërguar kallëzimin penal në prokurorinë e Tetovës.
Ish-ministri i denoncuar, thuhet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në periudhën 2019-2020, ka nënshkruar kontrata për financimin e projekteve, edhe pse për këtë nuk ka pasur para në arkën e shtetit.
“Ai ka nënshkruar vendime dhe ka lidhur kontrata me persona juridikë dhe fizikë për financimin e projekteve në vlerë të përgjithshme prej 31.824.000 denarë, ndonëse ka qenë i vetëdijshëm se me ribalancimin e buxhetit nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë të publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 126 datë 15.05.2020 mungojnë burimt financiare për detyrimet aktuale të ndërmarra tashmë në lidhje me tenderët vjetorë për financimin e projekteve”, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.
Prokuroria ka hapur lëndë ndaj ish-ministrit Ismaili më 24 gusht 2021, pas njoftimit nga Policia Financiare për parregullsi në ndarjen e parave për projekte me interes kombëtar në fushën e kulturës për vitin 2019.
Megjithatë, pas dy vitesh Policia Financiare ka kërkuar shtyrje të afateve për të dërguar prova shtesë, sipas prokurorisë.
Kujtojmë se Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsioni në dhjetor të vitit 2021 dorëzoi iniciativë në Prokurorinë Publike që të nis procedurë për ndjekje penale të ish ministrit të Kulturës, i cili e ka kryer këtë funksion nga 27 qershor 2019 deri më 30 gusht 2020, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrën zyrtare dhe kompetencave në lidhje me marrëveshje dhe aneks marrëveshje të nënshkruara më 24 korrik 2020, që kanë të bëjnë me konkursin vjetori për financim të projekteve me interes nacional.
Comments are closed for this post.