Gjatë fundjavës kishte ulje të numrit të pacientëve të sapo pranuar në të gjitha institucionet spitalore në Shkup dhe përgjatë shtetit në krahasim me fundin e javës së kaluar, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai tha se edhe pse ka trend të tillë të uljes, ende janë të kujdesshëm dhe syhapur e ndjekin situatën.
“Ka kapacitet të mjaftueshëm të shtretërve të lirë spitalorë, ende zgjat sistemi i rrotacionit, koordinimit në lidhje me pranimet e pacientëve ndërmjet institucioneve, si në Shkup ashtu edhe ne mesin e spitaleve të tjera dhe atyre të Shkupit, kështu që në atë kuptim besoj se trendi do të vazhdojë, por ne ende jemi të kujdesshëm dhe syhapur e ndjekim situatën”, tha Filipçe.

Ai, theksoi se numri i sotëm i të sapo infektuarve është rreth 300, por kjo pritej sepse gjithmonë të dielën bëhen më pak teste.

“Dita e sotme dhe e nesërmja do të jenë një tregues nëse trendi i uljes së rasteve të reja do të vazhdojë. Kjo është shumë e rëndësishme edhe sa i përket asaj se si do të veprojmë në pjesën e rekomandimit për masat e mëtutjeshme parandaluese, ashtu edhe në pjesën e planifikimit të kapaciteteve spitalore”, përfundoi ai./SHENJA