Përkundër faktit se vuan nga autizmi, i riu turk Ozan Memish ka mësuar Kuranin përmendësh për çka myftinia e Samsunit i ka dhënë diplomë për kalimin e suksesshëm të provimit të hifzit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Nga shkaku i pengesave në të folur, Ozani i cili tani është 16 vjeçar, ishte dërguar për kontroll mjekësor në moshën dy vjeçare, ku mjekët kishin konstatuar autizmin. Tani ai ndjek një shkollë speciale, për çka ndihmohet nga nëna e tij Vede Turan.

Në janar të këtij viti, Ozani kaloi me sukses provimin për hafiz, pasi siç rrëfen nëna e tij Veda, ai që në moshë të hershme ka shfaqur interesin për të memorizuar Kuranin.

Gjatë ndjekjes së procesit arsimor në shkollën për rehabilitim, ai ka mësuar edhe si të përdorë kompjuterin.

“Ozani mësoi përmendësh Kuranin që në moshën nëntë vjeçare. Fëmija im tregon interes të madh edhe për mësimin e gjuhëve të huaja të cilën e bën përmes internetit”, tha nëna e tij Veda.

Ajo thekson se djali i saj nuk është i sëmurë, por një fëmijë i veçantë sepse sukseset që arrin gëzojnë të gjithë rrethin e tij.

“Ai kalon shumë kohë në xhami. Si fëmijë, dy herë ka humbur dhe të dy herët e gjetëm në xhami. Falë myftiut, Ozan ndjek edhe mësimin në një klasë të veçantë”, rrëfen Veda Turan.

Dëshira e flaktë e Ozanit është të studiojë shkencat islame dhe të jetë frymëzim për të rinjtë që përballen me vështirësi në zhvillim.