Derisa u largua nga gjykata e Madridit të martën, ylli i Juventusit Cristiano Ronaldo u pyet nëse i mungon ish-klubi i tij, Real Madridi, dhe nëse mendon të kthehet një ditë.

Megjithëse u pyet plot herë teksa e la objektin e gjykatës, legjenda portugeze refuzoi të përgjigjej, por buzëqeshi disa herë, shkruan Gazeta Express.

Ronaldo ishte i pranishëm të martën në kryeqytetin spanjoll, aty ku i kaloi plot nëntë vite si lojtar i Los Blancos, për ta dëgjuar dënimin për mashtrim tatimor. Ai u dënua me dy vite burg me kusht dhe u gjobit me 19 milionë euro pasi u shpall fajtor për mashtrim tatimor në lidhje me të drejtat e imazhit.

Ronaldo i kaloi plot nëntë vite në fanellën e Real Madridit, por verën e 2018-es e tronditi botën e futbollit duke iu bashkuar Juventusit për 100 milionë euro.

Gjatë kohës së tij në Madrid, Ronaldo theu çdo rekord të mundshëm për Los Blancos, duke u bërë golashënuesi i tyre më i mirë në histori me 450 gola në të gjitha garat.

Ai po ashtu i fitoi dy tituj të La Ligës dhe katër tituj të Ligës së Kampioneve.

Megjithatë, marrëdhëniet e tij të përkeqësuara me presidentin e klubit Florentino Perez bën që ai përfundimisht t’i japë fund një karriere jashtëzakonisht të bujshme në La Liga.

Se a i mungon ish-klubi dhe a e mendon kthimin, Ronaldo nuk pati fjalë të tregojë, por vetëm buzëqeshje.