Ka disa muaj që ka filluar, por “Për’puthen” është shndërruar në një fenomen televiziv tashmë. Edhe konkurrentët janë kthyer në yjet e mediave sociale, duke u komentuar që nga stili, të shprehurit dhe zgjedhjet që bëjnë në sytë e publikut.

Nëse deri më tani është perceptuar se është program të rinjsh, lozonjarë që kërkojnë dashurinë në televizion, formati po vjen me një tjetër risi.

Beqarët nga mosha 40 vjeçare e më lartë, që janë të divorcuar, të ve apo për çfarëdo arsye tjetër nuk kanë gjetur partnerin e jetës, do të mund të nisin aventurën televizive për njohje të reja në “Për’puthen 40”.

Lajmi u bë i ditur nga Top Channel, që lajmëron se audicionet janë të hapura për këdo që do të jetë pjesë e formatit të ri.

Në një intervsitë të fundit të autores së programit, Olsa Muhameti në “Shqipëria Live”, ajo zbuloi detaje të mëtejshme sa i përket formatit të ri.

Olsa tregoi se ka pasur një aplikime të panumërta për formatin e ri dhe se audicionet do të kryhen të hënën e javës së ardhshme.

“Deri tani grupmosha më e madhe e aplikantëve është 40-50 vjeçare, por kanë aplikuar edhe nipërit që duan të sjellin gjyshërit. Nuk është vetëm për të gjetur partnerë por është edhe eksperiencë televizive shumë e bukur”, u shpreh ajo.

Ajo zbuloi se moderatorja e “Për’puthen 3” me konkurrentë mbi 40 vjeç do të jetë sërish Bora Zemani. Kjo e fundit pati një përvojë mjaft të suksesshme me drejtimin e “Për’puthen 2” , që ka nisur të transmetohet edhe të dielave si “Për’puthen Prime”.