Me rritjen e numrit të të shëruarve, afër 660 000, por edhe numrit të viktimave nga COVID 19 që ka shkuar në mbi 171 000, prej rreth 2 500 000 të prekurve në gjithë botën, ka filluar të rritet edhe numri i shteteve që po i lehtësojnë gradualisht masat kufizuese. Ndonëse shteti me më së shumti të prekur, rreth 800 000, prej të cilëve mbi 42 500 viktima e mbi 72 000 të shëruar, SHBA po heq dorë nga izolimi rigoroz. Pasi Shtëpia e Bardhë paralajmëroi rihapje të ekonomisë me arsyetimin se më e keqja e pandemisë ka kaluar, presidenti Donald Trump synon të pezullojë emigracionin për t’i mbrojtur vendasit, meqë vetëm gjatë katër javëve të fundit të izolimit mbi 20 milion amerikanë mbetën pa punë.

Për shkak të sulmit nga armiku i padukshëm dhe nevoja për t’i mbrojtur vendet e punës së qytetarëve tanë të Amerikës së madhe, do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për ta pezulluar përkohësisht imigrimin në SHBA!”-shkroi Trump në profilin e tij në Twitter- deklaroi Donald Trump, President i SHBA-së.

Spanja me mbi 200 000 të prekur, Italia me mbi 181 000, Franca me mbi 155 000 radhiten pas SHBA-së në listën e shteteve më të prekura nga Koronavirusi, secila me mbi 20 000 viktima. Pas tyre radhitet Gjermania me rreth 150 000 të prekur, por me më pak se 5 000 viktima, e cila këtë javë hapi dyqanet. Shifrat e 24 orëve të fundit tregojnë një rritje të lehtë, pas dy ditësh rënie, edhe atë mbi 1700 infektime dhe 194 vdekje. Por kancelarja, Angela Merkel tha se do të shihet se si lehtësimi i masave do të ndikojë në përhapjen e Koronavirusit, në mënyrë që të merret vendim i radhës. OBSH megjithatë mbetet në qëndrimin se relaksimi i parakohshëm i masave mund të çojë në rritje të numrit të infektimeve, duke iu kërkuar shteteve të presin deri sa të gjendet vaksina ose një trajtim efikas. Si pasojë e pandemisë, çmimet e naftës së papërpunuar në SHBA kanë shënuar rënien më të madhe në histori, përkatësisht në minus 40 dollarë për fuçi për dallim nga 60 dollarë sa kushtonte në fillim të vitit. Programi Botëror për Ushqim i Kombeve të Bashkuara alarmoi se 130 milionë njerëz mund të mbeten të uritur këtë vit, për shkak të të ardhurave të humbura nga turizmi, rënia e remitencave dhe kufizimet tjera. Në prag të fillimit të Ramazanit, Arabia Saudite ka pezulluar namazin e taravisë në dy xhamitë e shenjta në Mekë dhe Medinë. Ndërsa Indonezia ua ka ndaluar udhëtimin miliona personave, të cilët rëndom kthehen nëpër fshatra për festën e Bajramit.